Presidenti i Parlamentit Europian, David Sassoli tha se reformat e ndërmarra nga Shqipëria tregojnë se pavarësisht mos hapjes së negociatave nga ana e Bashkimit Europian, vendi e ka të qartë rrugën që duhet të ndërmarrë.
Ai vlerësoi nismën më të fundit të qeverisë, të quajtur paketa anti-KÇK. “Unë vij nga një vend që di shumë sa i përket luftës kundër krimit të organizuar dhe reforma e shpallur javën e kaluar nga qeveria mbart me vete diçka italiane, europiane. Mundësinë për të qenë të rreptë, por brenda një kornize të shtetit të së drejtës”, tha Sassoli.
Kreu i Parlamentit Europian tha se vendimi i vitit të kaluar për të shtyrë hapjen e negociatave ishte një moment hidhërimi. “25 qeveri europiane ishin të bindur që negociatat duhet të hapeshin, por nuk ndodhi kështu. Megjithatë nuk u tha një “jo”, vetëm sa është shtyrë afati. Në pritje për të fokusuar mekanizma lidhur me metodologjinë dhe në të njëjtën kohë për të bërë të mundur ndryshimin e mendimit të vendeve që kanë rezerva. Jemi të bindur që ne kemi të njëjtin vështrim drejt së ardhmes”, tha ai.
“Jemi të bindur që ky “stop” nuk përfaqëson një “jo”, por një ngadalësim, një moment tranzicioni gjatë të cilit patëm mundësi të shikonim edhe reagimin e institucioneve shqiptare dhe popullit shqiptar. Pasi e kuptuam se nuk doni të hiqni dorë nga reformat e mëdha për këtë vend dhe besojmë se edhe ky është një sinjal i rëndësishëm. Shpresoj që të merret një vendim pozitiv, mundësisht para Samitit të Zagrebit por më e shumta gjatë tij”.
Ai përgëzoi politikën edhe për uljen në tryezë për reformën zgjedhore. “Ky është gjest domethënës. Pasi edhe shumica, edhe opozita mendojnë se e ardhmja është e vendit është Bashkimi Europiane”. (A2 Televizion)