Klerikët katolikë angazhohet për negociatat: Në Bruksel për të sjellë zërin e qytetarëve shqiptarë

Drejtues të klerit katolik shqiptar janë të fundit që iu bashkohen përpjekjeve për çeljen e negociatave për Shqipërinë. Imzot George Frendo dhe Imzot Gjergj Meta prej dy ditësh zhvilluan disa takime të rëndësishme në Bruksel me zyrtarë të lartë të BE, për sa i përket raportit të Shqipërisë me BE.

Me ftesë të Konferencës Ipeshkvore e vendeve të BE, Imzot Frendo dhe Imzot Meta kishin një axhendë mjaft të ngjeshur takimesh. Imzot Frendo në prani të Parlamentares Željana Zovko dhe të disa ambasadorëve dhe zyrtarëve të BE, shpalosi mendimin e Kishës rreth hapjes dhe negociatave për Shqipërinë dhe tregoi para të pranishmëve se çfarë presin shqiptarët prej Europës.

Gjithashtu klerikët shqiptarë u takuan dhe me komisioneri për Zgjerim Olivér Várhelyi, i cili i informoi bashkëbiseduesit më çështjet teknike rreth procesit të zgjerimit.

Imzot Frendo dhe Meta në të gjitha takimet që patën me zyrtarët e lartë të BE theksuan se prania e tyre në Bruksel nuk ishte si politikanë, por për të sjellë zërin e njerëzve të thjeshtë dhe familjeve shqiptare që shpesh nuk kanë zë, sepse situata e tyre nuk njihet. E pikërisht në emër të këtyre njerëzve e familjeve Europa duhet të hapë dyert e saj për Shqipërinë.