Kategoria Superiore, Vllaznia-Tirana ndezin motorët për derbin e Shqipërisë

Java e 21-të e Kategorisë Superiore rikthen derbin e Shqipërisë. Në “Loro Boriçi”, Vllaznia pret Tiranën, në tentativën për të mos humbur kontaktin me garën për një vend në kupat e Europës.

“Është një ndeshje shumë e rëndësishme për skuadrën. Luajmë një ndeshje si ajo në Ballsh, përballjet kanë të njëjtën peshë, si ajo me Bylisin, ashtu edhe me Tiranën. Pikët janë shumë të rëndësishme për ne, por kjo fitore ka vlerën e gjashtë pikëve. Nëse arrijmë të fitojmë përballë Tiranës, Vllaznia nuk do të ketë probleme për vazhdimësinë”, deklaroi trajneri Mirsad Jonuz. 

Pas ecurisë perfekte në gjashtë ndeshjet e fundit, Tirana synon të kthehet përkohësisht në krye të renditjes. Fitorja është objektivi i vetëm, me trajnerin Egbo që shmang polemikat me administratorin e Vllaznisë, Suad Lici, sipas të cilit Tiranës po i’a shtrojnë rrugën drejt titullit.

“Vllaznia-Tirana është derbi tjetër i Shqipërisë kështu që nuk ka asnjë favorit dhe ne duam që të marrim maksimumin e mundshëm”, u shpreh trajneri i Tiranës, Egbo

Supersfida Vllaznia-Tirana luhet këtë të premte, prej orës 18:00. Ndeshjet e Superiores vazhdojnë të shtunën, me Kukësin që ndeshet me Laçin, Skënderbeu sfidon Bylisin, ndërsa Partizani e Teuta kanë dy teste të lehta në letër, përballë Flamurtarit dhe Luftëtarit.