Konflikti për “Duty Free” në Rinas, tërheq vëmendjen e diplomatëve amerikanë

Një përballje gjyqësore për administrimin e dyqaneve “Duty Free” në aeroportin e Rinasit duket se do të jetë një test për klimën e biznesit të huaj në Shqipëri. Seanca e radhës e konfliktit mes kompanisë që i ka administruar prej viteve 2000 dyqanet në aeroportit, ADFD dhe Ministrisë së Financave u ndoq nga përfaqësues të ambasadës së SHBA dhe asaj të Gjermanisë në Tiranë.

Në konkluzionet përfundimtare, kompania ADFD, kërkoi shfuqizimin e urdhrit të Ministrisë së Financave të shtatorit 2019, që i anuloi licencën për aktivitet tregtar në Rinas.

Por pala tjetër tha se licenca ishte anuluar pak kohë pas rinovimit, pasi ministria u vu në dijeni të faktit se ADFA kishte humbur garën e hapur nga aeroporti për administrimin e dyqaneve “Duty Free”.

Gara ishte fituar nga kompania amerikane ICDF, e cila kishte lidhur dhe një kontratë qiraje me aeroportin e Rinasit.

Rrëzimi i padisë u kërkua edhe nga palët e treta në gjykim, mes të cilave kompania amerikane.

Paraditen e së enjtes, një një reagim për Zërin e Amerikës, ambasadorja e SHBA në Tiranë e cilësoi gjyqin për “Duty Free” si lakmues për klimën e biznesit. Vendimi i gjykatës për këtë çështje pritet të shpallet në 11 shkurt.