Kur lindi Forca e Ligjit, goditja e lidhjeve krim-politikë dhe entuziazmi për “peshq”

Kur lindi Forca e Ligjit, Fatmir Xhafaj do të pohonte se dihej shumë për grupet kriminale dhe lidhjet e tyre me politikën dhe shtetin. Ambasadori amerikan i kohës, Donald Lu, foli me emra dhe nuk e fshehu entuziazmin për kapjen e peshqve të mëdhenj. Entuziazmin e kishte mbështetur në pritshmërinë për ngritjen e SPAK dhe BKH brenda vitit 2018. Xhafaj u largua nga puna e ministrit të Brendshëm pa u bërë një vit nga zotimet e tij.

“Ne do ta fitojmë edhe këtë betejë, forca e ligjit do të triumfojë”… Kur e bëri këtë deklaratë, në nëntorin e vitit 2017, Fatmir Xhafaj ishte rimandatuar ministër i Punëve të Brendshme. Situatën e kishte të qartë, sikundër edhe problemin e lidhjes së politikës me krimin. “Krimi i organizuar nuk lindi sot, as dje, ka qenë këtu, prezent, përballë nesh dhe për fat të keq edhe midis nesh”, shprehej Xhafaj asokohe.

Sipas prezantimit në konferencën e bujshme të shpalljes se forcës së ligjit, 53% e grupeve kriminale vepronin në kultivimin e narkotikeve, 11% në trafiqe te paligjshme, 18%  në krime të renda dhe 18% në aktivitetin e krimit ekonomik. Ishte bërë edhe analiza e profilit të tyre kriminal.

Me emra do te fliste ambasadori amerikan Donald Lu. “E dimë që në Shqipëri ka problem me lidhjen mes krimit dhe politikës. Nëse e mohoni këtë, ju lutem shqyrtojini rastet e Arbën Ndokës, Mark Frrokut, Gentian Muhametit dhe Elvis Roshit”.

Një agjent nga FBI i shtohej gjithë ndihmës së partnerëve ndërkombëtarë nga Gjermania, Franca Britania e Madhe dhe Italia, që forca e ligjit të kishte sukses. Por një shprehje amerikane thotë: “Dreka falas nuk ekziston”. Ndërsa ambasadori Lu kujtoi edhe një shprehje shqiptare që e pëlqente. “Peshku i madh e ha të voglin… Për një herë të vetme, në Shqipëri, le të hamë peshkun e madh”.

Kjo e dyta do t’i përmendej për një kohë të gjatë, pasi në po të njëjtin vend, pritshmëritë ishin të larta e të papërmbushura as sot. “Presim që ky plan agresiv i Qeverisë të përfundojë me ndjekjen penale dhe arrestimin e disa peshqve të mëdhenj në fillim të vitit të ardhshëm dhe të vazhdojë në vitin 2018 me SPAK dhe BKH”, do të thoshte Lu në nëntor 2017.

Ministri i Brendshëm, i dyti me i sulmuar nga demokratët, që e akuzonin se kishte favorizuar vëllain e tij të dënuar për trafik ndërkombëtar droge në Itali, do të zotohej: “Krimi nuk do të ketë të ardhme,  ne do ta fitojmë edhe këtë betejë”, thoshte Xhafaj.

Ai bëri disa takime rajonale, ku numëronte bandat, por gati një vit nga shpallja e Forcës së Ligjit ai nuk do ta mbante më detyrën e ministrit të Brendshëm. Fatmir Xhafaj u zëvendësua me Sandër Lleshajn një jave pasi ishte realizuar operacioni “Volvo 4”, me disa arrestime nga Lezha në Shijak dhe politika fliste edhe për arrestimin e Kryebashkiakut të Durrësit, Vangjush Dako, i identifikuar në përgjime me elementë të krimit të organizuar.

Sot Forca e Ligjit nuk quhet me “task force”, por operacion, dhe përmes një akti normativ synon të çojë para drejtësisë, ende të pakompletuar, një listë emrash që do të duhet të provojnë ligjshmërinë e pasurive të tyre.