Ligjet anti-KÇK/ Përgjimet, qeveria i jep dorë të lirë policisë

Përditësuar më: 6/2/2020, ora 19:03

Ligjet anti-KÇK/ Përgjimet, qeveria i jep dorë të lirë policisë

Përditësuar më: 6/2/2020, ora 19:03

Me paketën anti-KÇK, edhe ligji për Policinë e Shtetit pëson ndryshime. Sipas amendamenteve të siguruara nga A2, tashmë policia mund të përgjojë pa nevojën e autorizimit nga prokurori.

Në nenin 131 të ligjit ekzistues, saktësohen 2 parakushte. Përgjimet autorizohen vetëm kur veprimtaria kriminale nuk mund të zbulohet ose të parandalohet në rrugë e mënyra të tjera; e dyta, përgjimet mund të nisin vetëm pasi është marrë dakordësia e prokurorit. Por, në variantin e ri të propozuar nga qeveria, neni 131 riformatohet dhe këto parakushte mungojnë. Përgjimet tashmë janë në dorë të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë dhe atyre rajonalë.

Por, veç kësaj, edhe afatet e përgjimit pësojnë ndryshim. Ato mund të zgjasin 3 muaj dhe mund të rinovohen vetëm 1 herë me 3 muaj të tjerë. Përveç përgjimit audio e video, ndryshimet e propozuara nga qeveria përfshijnë edhe gjurmimin e vendndodhjes. Ligji aktual për Policinë e Shtetit detyron asgjësimin e përgjimeve në rast se ato nuk përdoren si prova brenda 6 muajve.

Në riformulimin e nenit, kjo dispozitë është zhdukur, duke lejuar policinë të ruajë përgjimet sipas dëshirës. E tërë paketa ligjore anti-KÇK që qeveria do t’i kalojë Parlamentit, fuqizon edhe ministrin e Brendshëm, duke shtuar institucionet në varësinë e tij.

Të mërkurën, A2 publikoi 2 drafte të tjera të kësaj pakete, atë antimafia dhe për agjensinë që administron pronat e sekuestruara të krimit, sipas të cilave kjo agjensi kalon nga Ministria e Financave te Ministria e Brendshme. Si rrjedhojë, Sandër Lleshaj do të jetë njeriu që do të menaxhojë pasurinë marramendëse që i konfiskohet krimit, që mund të shkojë në disa qindra miliona euro.