Zbulohet një tjetër mister i Da Vinçit, kësaj radhe në pikturën “Virgjëresha e Shkëmbinjve”

Një imazh i fshehur i foshnjës Jezus është zbuluar së fundmi në një pikturë shumë të famshme të Leonardo Da Vinçit. Përmes një skaneri të teknologjisë së fundit u bë i mundur zbulimi i një skice të fshehur në tablonë ikonike të Da Vinçit, “Virgjëresha e Shkëmbinjve”.

Zbulimi i këtyre imazheve të fshehura është bërë i mundur kohët e fundit vetëm falë një teknologjie shumë të avancuar skanimi.  

Vitin e kaluar, një skicë ndryshe e Virgjëreshës Mari u zbulua më lart në tablo duke përdorur rrezet infra të kuqe. Në imazhin e zbuluar së fundmi, shfaqet një engjëll me krahë duke mbajtur foshnjën Jezus dhe kjo erdhi vetëm pas përdorimit të teknologjisë së re me rreze X.

“Ishte sikur të gjeje një gjilpërë në një mullar kashte”, deklaroi profesori Pier Luigi Dragotti nga Kolegji Imperial i Londrës. “Por është një ndjesi shumë madhështore të gjesh këto imazhe të fshehura”, shtoi ai.

Në tablo, Jezusi gjendet në të djathtë të pjesës fundore, por nuk mund të shihet me sy të lirë. Atë mund ta dallosh vetëm falë rrezeve makro-fluorishente X. Kjo funksionon duke aktivizuar elementet kimike brenda bojës, duke i lejuar ata të kapen. Në këtë rast një sasi e konsiderueshme zinku në pikturë bëri të mundur të shfaqen imazhet e fshehura.

Duke kombinuar sistemet e skanimit me modelet e trajnuara kompjuterike, u bë e mundur zbulimi i imazhit të foshnjes Jezus të Da Vinçit që nuk ishte parë asnjëherë.

Leonardo da Vinci e ka pikturuar dy herë tabllonë “Virgjëresha e Shkëmbinjëve” gjatë karrierës së tij. Të dyja ato në vija të gjëra kanë të njëjtin kompozim, por në rastin tonë është skanuar versioni i dytë. Piktura është 1.8 metra e lartë dhe është realizuar me bojëra vaji. Ajo shfaq imazhin e Virgjëreshës Mari dhe foshnjes Jezus së bashku me Gjon Pagëzorin bebe.

Ekspertët mendojnë se ajo është pikturuar përpara vitit 1508 dhe më pas iu nënshtrua një procesi restaurimi nga viti 2008-2010.