Sondazh: Destinacionet e fundjavave tuaja janë:
  • Bregdeti 50%
  • Zonat malore 50%
  • Qendrat historike 0%

Borxhe dhe mungesë investimesh, KLSH: Hekurudha shqiptare drejt falimentit

Nga A2 CNN
8 Shkurt 2020, 16:28 | Ekonomi

Shqiptarët përdorin gjithmonë e më pak trenin si mjet transporti. Shifrat zyrtare tregojnë për një rënie të ndjeshme të pasagjerëve vitet e fundit, duke zbritur në vetëm 59787 udhëtarë për vitin 2019.

Braktisja e kësaj forme të transportit ka ndikuar në përkeqësimin e financave të Hekurudhës Shqiptare, që tashmë duket se mbahet vetëm me anë të subvencioneve nga shteti që prej vitit 2000, siç evidenton raporti i fundit i KLSH.

Kompania publike ka grumbulluar përgjatë viteve të paktën 15 milionë euro detyrime, nga të cilat 4 milionë euro borxhe kundrejt hekurudhave të huaja, ndërsa fondet që vijnë nga Ministria e Financave, si aksioner i vetëm, kanë shkuar për pagat dhe sigurimet shoqërore të punonjësve, në shkelje të qëllimit të subvencionit.

Sipas Kontrollit të Lartë të Shtetit, vazhdimësia e kësaj situate po e çon shoqërinë drejt falimentit.

Ndërsa dy operatorët privatë që operojnë në këtë treg, veprojnë aktualisht me licenca të parregullta, pa certifikatë dhe autorizim sigurie, duke vënë në rrezik jetën e udhëtarëve dhe mallrat që transportojnë.

KLSH e sheh si një situatë tepër kritike gjendjen e Hekurudhës Shqiptare dhe kërkon një plan konkret masash nga ana e shtetit. Ndërkohë që puna për rehabilitimin e seksionit hekurudhor Tiranë-Durrës dhe ndërtimi i linjës Tiranë-Rinas së bashku me terminalin e ri në Tiranë ende nuk ka nisur.

A2 CNN Livestream

Ditari nga Bruna Çifligu