Post Brexit, shfajësimi i Trump, shkencëtarët ende larg kurës për koronavirusin

Përditësuar më: 26/2/2020, ora 17:32

Post Brexit, shfajësimi i Trump, shkencëtarët ende larg kurës për koronavirusin

Përditësuar më: 26/2/2020, ora 17:32

Ajo mes Bashkimit Europian dhe Britanisë së Madhe, ka qenë prej fillimit një martesë e palumtur. Një histori dashurie e njëanshme, e konsumuar nga dyshimet, skepticizmi, refuzimet dhe në fund divorci I pashmangshëm. Me një partner që nuk lodhej duke këmbëngulur për një marrëdhënie më të fortë, dhe tjetrin që kërkonte më shumë pavarësi, ajo nuk qe e destinuar të zgjasë.

Megjithatë, lëshimet e kompromiset që kohë pas kohe pranoi të bënte për hir të unitetit, Brukseli në fund e humbi anëtarin e tij rebel… Por edhe pasi zgjodhi ti shkëpuste rrugët me bashkimin europian, duke I dhënë këtij të fundit shuplakën më të rëndë që prej krijimit të tij, edhe një herë, Londra kërkonte të vendoste rregullat e lojës. Edhe në divorc. Pas një procesi të vështirë negociatash, që i kushtoi postin 2 kryeministrave, pas debatesh të flakta në Parlament, zgjedhjeve partiake e atyre të përgjithshme, 3 vite e gjysmë pasi britanikët votuan pro shkëputjes nga unioni, Brexit u bë realitet në 31 janar, ashtu siç kishte premtuar Boris Johnson.

Ndërsa Londra flet për një kapitull të ri, me më shumë pavarësi politike dhe ekonomike, Bashkimi Europian nuk e thotë dot lamtumirën dhe reflekton mbi arsyet që lëkundën projektin europian…

Deklaratat e protagonistëve që shoqëruan ngjarjen…

“Largimi i Britanisë së Madhe është tronditës. Është një kambanë alarmi e cila duhet të dëgjohet në të gjithë Europën dhe të na bëjë të reflektojmë”

Emanuel Macron, President i Francës

“Negociatat do të jenë të drejta por sigurisht secila palë do të luftojë për interesat e veta. Ne nuk do t’i ekspozojmë kompanitë tona ndaj praktikave të padrejta kompetitive”

Presidentja e Komisionit Europian Ursula Von der Leyen

“Ne do të mundësojmë që Bashkimi Europian të bëhet sërish një projekt, tek i cili Britania do të dëshirojë të bëhet pjesë sërish”

Guy Verhofstad, koordinator i PE për Brexit

“Të dashur miq britanik. Ne jemi dhe do të mbetemi gjithmonë një komunitet. Nuk ka Brexit që ta ndryshojë ndonjëherë këtë”.

Donald Tusk, ish-President i Këshillit Europian

“Populli britanik donte të shpëtonte nga tirania e Brukselit. Ata donin t’i merrnin vetë vendimet e veta. Edhe ne e duam këtë për popullin britanik”

Sekretari Amerikan i Shtetit, Mike Pompeo

Çfarë ndodh pas Brexit? Marrëveshja tregtare me BE, sfida e radhës

Por sa ndikon tek projekti i Bashkimit Europian largimi i Britanisë së Madhe, cilat janë kostot politike dhe ekonomike që do të paguajnë palët, dhe sa preket Ballkani Perëndimor. Për këto biseduam me ish- ministrin, ekspertin e ekonomisë dhe njohësin e çështjeve të inegrimit z. Arben Malaj.

“Dalja e Britanisë së Madhe nga BE është diçka jo pozitive, të paktën për BE, që do të ketë sfida më të vështira. Britania e Madhe gjithmonë ka qenë kontribuuese neto, pra jepte më shumë para se sa merrte nga BE, kështu që krijohet një gropë në buxhetin e BE”, thotë Malaj. “Dëmi më i madh mund të vijë nga pasiguria që mund të krijohet në tregje. Për fat të mirë nuk kanë filluar të vihen baste se cili do të jetë shteti tjetër në radhë për t’u larguar. Por nëse kjo do të fillojë, kjo e vë në pikëpyetje të madhe projektin e BE”.

Vendet e Ballkanit Perëndimor duhet të kuptojnë se duhet t’i respektojmë prioritetet që kanë vendet anëtare. BE ka lindur si një projekt që sipas Churchil duhet të ishte në nivelin e Shteteve të Bashkuara të Europës. Projekti ka ecur ngadalë, ka pasur kriza, është blloku ekonomik më i madh, por është një bashkim shtetesh që kanë krenarinë e tyre dhe nuk bashkohen dot në një identitet”, thotë Malaj. “Tani jemi në fazën që duhet ta ruajmë projektin e BE. Presioni ynë është i vogël ndaj tyre, por krijon një kosto midis shteteve. Ai do të mbijetojë vetëm në bazën e një komunikimi të sinqertë mes dy shteteve, që janë France dhe Gjermania.

Mbyllet gjyqi ndaj Trump, Senati e shfajëson

Saga “impeachment”, që riktheu një kapitull të errët të historisë amerikane, u mbyll të mërkurën me shfajësimin e presidentit Donald Trump. Ashtu siç pritej, Senati i kontrolluar nga republikanët liroi nga akuzat për abuzim me pushtetin dhe pengim të punës së kongresit, kreun e Shtëpisë së Bardhë.

E vetmja e papritur, ishte fakti se senatori republikan Mitt Romney votoi ashtu si demokrat, kundër Trump, sa i përket akuzës së parë. Ish-kandidati për presidencën, një kritik i zëshëm i Trump edhe për çështje të tjera, tha se ajo që kishte bërë Trump me Ukrainën ishte një sulm flagrant ndaj besimit publik.

Gjyqi për shkarkimin e presidentit në senat, u zhvillua pasi dhoma e përfaqësueseve e kontrolluar nga demokratët e akuzoi atë në dhjetor se kishte përdorur ndihmën ushtarake për të detyruar Ukrainën të niste hetimet kundër rivalit Joe Biden.

Nëse do të shpallej fajtor, Trump do të duhet t’ia dorëzonte detyrën zëvendësit të tij, Mike Pence. Ai do të bëhet Presidenti i parë i përballur me “impeachment” që do të kërkojë një mandate të dytë. Shfajësimin në senat, Trump ka ndërmend ta shfrytëzojë si momentum politik, në prag të zgjedhjeve presidenciale të nëntorit.

Në një prononcim nga Shtëpia e Bardhë, ai foli me tone të ashpra dhe sfiduese kundër rivalëve politikë,  ndërsa parakaloi triumfues mes ovacioneve të ligjvënësve republikanë, zyrtarëve të administratës dhe përfaqësuesve të medias. Apologjia e vetme që bëri, ishte ndaj familjes së tij. Fjalimi ishte krejt i ndryshëm nga ai që mbajti ish-Presidenti Bill Clinton, kur Senati e shfajësoi nga akuzat për “impeachment”, duke u shfaqur thellësisht i penduar para popullit amerikan.

Demokratët dhe analistë në SHBA e akuzuan për arrogancë presidentin amerikan, por duket se siguria e Trump mbështet edhe në shifra. Sondazhet tregojnë se Trump doli më i fortë politikisht nga “impeachment”.

Përçarja e thellë mes demokratëve dhe presidentit amerikan Donald Trump nuk është sekret, por ajo kaloi në rrafsh personal gjatë fjalimit për gjendjen e kombit, kur Nancy Pelosi grisi në mënyrë demonstrative një kopje të fjalës së Trump. Ky i fundit refuzoi t’i jepte dorën zyrtares mëtë lartë demokrate

Rëndohet bilanci, Kina ashpërson masat kundër koronavirusit

Kina ashpërson masat për të frenuar përhapjen e koronavirusit, ndërsa bilanci sa vjen e përkeqësohet. Me qindra kanë humbur jetën dhe mbi 31 mijë të tjerë rezultojnë të infektuar në Kinën kontinentale. Pekini ka ndaluar grumbullimet për evente të tilla si ditëlindjet. Disa qytete të tjera kanë limituar numrin e pjesëtareve të familjes që mund të dalin çdo ditë nga shtëpia.

Autoritetet po përballen me kritika dhe zemërim popullor pasi nuk morën parasysh alarmin e lëshuar nga një doktor lidhur me rrezikshmërinë e virusit. Ai ndërroi jetë te enjten, pasi u infektua ndersa kujdesej për pacientë me koronavirus. Sa i përket përhapjes në vende të tjera të botës, situata duket nën kontroll. Organizata Botërore e Shëndetësisë thekson se virusi nuk mund të konsiderohet ende pandemi. Disa anije me mijëra turistë po mbahen në karantinë në disa shtete aziatike pas evidentimit te rasteve me koronavirus.

Reporteri i CNN tregon çfarë përjetoi në karantinë

14 ditë brenda një dhome, në izolim të plotë. David Culver, korrespondent i CNN tregon: “Dolëm nga karantina pas dy javëve, i gjithë ekipi po ndihet mirë. Ja si përfunduam ne të tre, fotoreporterja e CNN Natalie Thomas, producenti Yong Xiong dhe unë atje. Gjithçka nisi atje ku ishim dy javë më parë, dhe ky është rrugëtimi ynë në3:30 të mëngjesit për në stacionin e trenit. Planifikuam të kalonim disa ditë në Wuhan. Por pas 29 orëve, na ra telefoni… qyteti po izolohej dhe ne duhej të largoheshim.

Fillimisht ne nuk mund ta imagjinonim sa serioze mund të bëhej situata. Miliona banorë të izoluar dhe me një bilanc viktimash që vetëm rritej si dhe mijëra të infektuar. Gjithashtu me Kinën në tërësi të izoluar nga pjesa tjetër e botës dhe ne ishim në epiqendër.

CNN vendosi që ne të riktheheshim në Pekin dhe të kufizonte ekspozimin tonë ndaj të tjerëve. Megjithatë ne dëshironim të raportonim lajmin, por kishim vetëm 32 metra katrorë për ta bërë atë.

Ne nuk lejuam stafin e hotelit të hynte në dhomat tona, dhe ata e pranuan këtë fakt. Në vazhduam me punën tonë dhe përdorëm natën e Vitit të Ri Kinez për të bërë pak pushim. Pa e kuptuar, kishim qëndruar për 14 ditë të mbyllur brenda një dhome hoteli. Por më në fund gjithçka iu kthye normalitetit dhe dolëm në kërkim të lajmit”.

Shkencëtarët, ende larg kurës dhe vaksinës

Fillimisht u shpërnda si teori konspirative, por tashmë kjo frazë vjen nga një ekspert i rëndësishëm amerikan.“Koronavirusi është një armë lufte biologjike dhe është krijuar në një laborator të Wuhan. Organizata Botërore e Shëndetësisë është në dijeni të këtij fakti”, tha Francis Boyle, profesor në Universitetin e Illinois.

Në vitin1989, Boyle ka redaktuar aktin kushtetues për Armët Biologjike, që është ligji kundër terrorizmit të armëve biologjike në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ai thotë se koronavirusi është një armë shumë e fuqishme vdekjeprurëse dhe që është ndërtuar në një laborator të sigurisë së lartë në Wuhan. Sipas ekspertit, qeveria e Kinës është përpjekur fillimisht ta mbulonte rastin, ndërsa tani po adopton masa drastike për të frenuar epideminë.

Sa i përket gjetjes së një kure apo vaksine që lufton koronavirusin shkencëtarët janë ende larg. Megjithatë çdo ditë po zbulohen metoda për izolimin e virusit. Një ekip shkencëtarësh në Universitetin Zhejiang të Kinës zbuloi dy ilaçe, Abidolin dhe Darunavirin, që kanë efikasitet të lartë kundër infeksionit. Ndërsa është hedhur poshtë roli i medikamentit anti-HIV, që është përdorur fillimisht për të luftuar koronavirusin.