Soreca: Reformat ndihmojnë në çeljen e negociatave këtë pranverë

Ambasadori i Bashkimit Europian në Tiranë, Luigi Soreca, i sheh reformat e Shqipërisë, si tepër të rëndësishme për përafrimin e vendit tonë me Bashkimin Europian.

Në një intervistë për A2, kryedimplomati europian iu përgjigj së pari pyetjes sesi e shihte ai operacionin Forca e Ligjit dhe metodologjinë për sekuestrimin e pronave.

“Lufta kundër krimit të organizuar është një përparësi apo prioritet kyç për Bashkimin Europian, në lidhje me rrugëtimin e Shqipërisë drejt BE-së. Kjo do të thotë që veprimet që ndërmerren nga ana e Shqipërisë, në lidhje me luftën dhe parandalimin e krimit të organizuar, janë mëse të mirëpritura. Sigurisht që sundimi i ligjit është një kriter kyç për ne. Është një kriter shumë i rëndësishëm dhe natyrisht ne do ta shikojmë sesi do të zbatohet, pasi për ne është shumë e rëndësishme që ky ligj të vihet në zbatim në përputhje të plotë me sundimin e ligjit, që do të thotë se duhet të jetë në respektim të plotë të të drejtave të njeriut. Natyrisht që është shumë e rëndësishme që të luftohet krimi i organizuar, por duhet të respektohen edhe të drejtat themelore të njeriut, që do të thotë, të drejtat e të pandehurve. Prandaj ne do ta ndjekim nga afër zbatimin e këtij ligji, i cili siç e thashë, është shumë i rëndësishëm, pasi kemi parime shumë të rëndësishme për të cilat bëhet fjalë. Sa i përket metotologjisë së re të Komisionit Europian, ajo është një metodologji, që shkon në favor të Shqipërisë, pasi u përgjigjet atyre kërkesave që kanë ardhur nga shtetet anëtare të Bashkimit Europian, të cilat hezitonin për çeljen e negociatave”, tha Soreca.

Sipas tij, reformat e afrojnë Shqipërinë drejt Bashkimit Europian. “Ndaj kjo metotologji nga njëra anë, por edhe ecuria apo përparimi që do të bëjë Shqipëria këto javë në vijim në luftën kundër krimit të organizuar, kundër korrupsionit dhe në reformat e saj, si në atë zgjedhore, ashtu edhe në atë të drejtësisë, do të ndihmojnë patjetër që ta vënë Shqipërinë në skenarin më të mirë për çeljen e negociatave në pranverë”.

Ambasadori komentoi edhe rezultatet e prezencës së Frontex në Shqipëri. “Ky operacioni i parë që është kryer nga Frontex, pra nga Agjencia Europiane për Kufirin dhe Rojën Bregdetare, në një vend jashtë Bashkimit Europian. Është parë që është rritur numri i arrestimit të atyre personave që trafikojnë qenie njerëzore. Gjithashtu është rritur numri i personave të kapur në kufirin e gjelbër mes Shqipërisë dhe Greqisë, nga 5 mijë në vitin 2018 është dyfishuar në më shumë se 10 mijë. Kjo edhe në sajë të situatës gjeopolitike në lindjen e mesme, që ka sjellë edhe rritjen e këtyre shifrave. Në vlerësimin tim, ky operacion i përbashkët i Frontex me Policinë e Shtetit, ka parandaluar kalimin e emigrantëve të parregullt jo vetëm në Shqipëri, por edhe në formë tranziti nga Shqipëria dhe për mendimin tim kjo është një arritje shumë e rëndësishme, e cila do të përdoret si model edhe për vendet e tjera të rajonit dhe botës. Prandaj mendoj se është element, për të cilin duhet të jeni krenarë, sepse Shqipëria ka qenë vendi i parë që ka marrë këtë bashkëpunim”, tha Soreca.

Prej vitit 2018, kur është emëruar ambasador i Bashkimit Europian në Shqipëri, Luigi Soreca ka inkurajuar politikën shqiptare të çojë para reformat që ndikojnë në çeljen e negociatave me Bashkimin Europian.