Anëtari i këshillit bashkiak të Kamzës, i dënuar në Zvicër për shitjen e 4 qeseve heroinë – A2

Anëtari i këshillit bashkiak të Kamzës, i dënuar në Zvicër për shitjen e 4 qeseve heroinë

bashkia kamez 600x338

Prokuroria e Përgjithshme ka verifikuar deklarimet e anëtarit të këshillit Bashkiak në Kamëz, Mirush Dema, duke e gjetur atë në kushtet që duhet t’i ndërpritet mandati.

Dema ka deklaruar në formularin e dekriminalizimit një ndalim për verifikim në Gjenevë dhe një dëbim nga Suedia, por Prokuroria gjatë verifikimeve të saj ka zbuluar se këshilltari bashkiak i Kamzës kishte edhe dy dënime të tjera që nuk i kishte bërë publike.

Në vitin 2014 ai është dënuar në Zvicër pasi i kishte tentuar t’i shiste një polici të infiltruar 4 qese heroinë. Ndërsa dënimi tjetër është për një dhunim banese, pasi kishte hyrë pa leje në një bodrum, që më pas iu konvertua në gjobë.

Prokuroria vëren se Dema është në kushtet e pasqyrimit të të dhënave të pavërteta, që sjell përjashtimin e menjëhershëm dhe në çdo kohë nga kandidimi, zgjedhja apo funksioni publik. Dokumentacionin e mbërritur nga Prokuroria, në lidhje me këshilltarin bashkiak të Kamzës, Mirush Dema, KQZ pritet ta shqyrtojë të mërkurën.