Lamallari: Pas “Forcës së Ligjit”, nismë kundër evazionit fiskal – A2

Lamallari: Pas “Forcës së Ligjit”, nismë kundër evazionit fiskal

10 SHKURT DITA JONE CLNE frame 156197 1100x620
Video

Operacioni anti-KÇK, i nisur javën e shkuar, ka marrë vëmendjen e publikut me ftesat për justifikim të pasurisë, që u dërgon personave me të shkuara kriminale.

Zëvendësministri i Brendshëm, Besfort Lamallari, ishte i ftuar në Dita Jonë ku foli për operacionin “Forca e Ligjit”, ndërsa theksoi se së shpejti do të ketë edhe një nismë tjetër.

“Si çdo nismë ka dyshime. Por kur ka nisma që i drejtohen krimit të organizuar dhe ndaj tyre nuk duhet të ketë akuza. Duhet të jemi bashkë kundër krimit të organizuar, pasi përbën kërcënim për të gjithë pavarësisht ngjyrimeve që mund të kemi. E rëndësishme është që OFL po vazhdon punën intensive. Janë sekuestruar një sërë pasurish, nga resortet te automjetet e blinduara dhe kjo do të vijojë”.

Çfarë ndodh me sekuestrot?

“Procedohet me SPAK-un dhe më pas masa kalon në Gjykatën e Posaçme. Në rastet kur personi nuk justifikon pasurinë. Analizat do të jenë shumë të hollësishme. Imagjinoni që kemi persona që i shohim që kanë vila dhe pasuri të mëdha dhe ne e dimë në njëfarë mënyre se merren me diçka të ndaluar dhe në këtë moment ne shohim se jo të gjithë janë të barabartë para ligjit. Ky akt normativ synon të rikthejë rregullat dhe t’i forcojë ato në një shoqëri të shëndoshë. Nuk mundet që këto persona të prishin rregullat e lojës”.

Zëvendësministri i Brendshëm paralajmëron se pas operacionit “Forca e Ligjit” do të ketë edhe një nismë kundër evazionit fiskal.

“Çdo nismë është politike. Do të ketë edhe një nismë kundër evazionit fiskal. Të gjitha këto, të marra së bashku, janë përgjegjësi politike. A duheshin adresuar kohë më parë? Sigurisht. Çdo qeveri nëse do të kishte marrë nisma të tilla do të kontribuonin në një shoqëri më të shëndoshë”, u shpreh Lamallari.