Oligarku rus dhuron dorëshkrimin olimpik me vlerë 8,8 milionë $ – A2

Oligarku rus dhuron dorëshkrimin olimpik me vlerë 8,8 milionë $

Oligarku rus, Alisher Usmanov, i ka dhuruar Muzeut Olimpik të Lozanës në Zvicër dokumentin origjinal i cili i dha jetë Lojërave Olimpike moderne, të blerë prej tij në ankand për mbi 8,8 milionë dollarë.

Dokumenti prej 14 faqesh, një fjalim i Pierr de Coubertin në të cilin aristokrati francez ravijëzonte vizionin e tij për Lojërat Olimpike, u ble nga Usmanov në dhjetor të vitit të kaluar në ankand. Asokohe, shifra rekord bëri bujë, por emri i blerësit nuk u zbulua.

Usmanov nuk është i ri në botën e sportit, pasi ka qenë aksioner tek Arsenal deri para pak vitesh, madje pretendent për disa kohë për t’u bërë edhe një prej pronarëve kryesor të klubit anglez të futbollit. Ai mendohet se ka një pasuri prej 12,6 miliardë dollarësh. Ai gjithashtu mban poston e Presidentit të Federatës Ndërkombëtare të Skermës.

“Pierre de Coubertin kishte një vizion për një botë të bashkuar nga sporti dhe jo të ndarë nga luftrat. Besoj se Muzeu Olimpik është vendi më i përshtatshëm për të mbajtur këtë dorëshkrim të paçmueshëm”, tha Usmanov.