Tifozët e Hamburgut janë të parët të cilët shfrytëzuan spektaklin e ligjshëm piroteknik në stadiumet botërore. Risia u regjistrua në ndeshjen e Bundesligës së dytë gjermane, me Karlsruhen. Ky është hapi i parë rreth dialogut ndërmjet tifozerive ultras dhe forcave të policisë.
Në stadiumet e të gjithë Europës, ashtu si edhe në Shqipëri, përdorimi i mjeteve piroteknike nuk lejohet me ligj. Diçka e tillë ka sjellë jo pak polemika ndërmjet tifozëve dhe forcave të rendit, si edhe ndëshkime për klubet.
Këtë herë, në Hamburg fishekzjarrët dhe tymueset u certifikuan nga instituti i materialeve dhe tifozët u lejuan pa probleme të realizonin koreografinë e tyre.