“Të gatshëm për përleshje”… Turqia shton praninë ushtarake në Siri – A2

“Të gatshëm për përleshje”… Turqia shton praninë ushtarake në Siri

KR TURQIA NE SIRI.duplicate frame 1077 1100x620

Mes Sirisë dhe Turqisë raportet janë shumë të ndezura: presidenti Recep Tayipp Erdogan dërgoi në Idlib forca të tjera ushtarake për të përforcuar “pikat e vrojtimit” të dakorduara me Moskën dhe Teheranin.

Por zemërimi për vrasjen e 8 ushtarëve turq gjatë një bombardimi nga ana e forcave qeveritare siriane më 3 shkurt, nuk ka kaluar ende pasi pranimi i gabimit nuk është i mjaftueshëm. Siria dhe Rusia kanë përgjegjësi për incidentin për faktin se ishin në dijeni që ushtarët e Ankarasë nuk kishin nisur zhvendosjen nga provinca e Idlibit.

Pasi urdhëroi sulme ajrore si kundërpërgjigje, Presidenti Erdogan dërgoi dhe përforcime në pozicionet turke dhe nuk përjashton asnjë mundësi. Ai vlerëson edhe përplasjen e drejtpërdrejtë me forcat siriane. Por për momentin gjithçka mbetet në dorë të Moskës, që kërkon të ndërmjetësojë mes Damaskut dhe Ankarasë.

Rusia mbështet Presidentin Basharal Al-Assad dhe mbron veprimet e ushtrisë së tij duke i ofruar logjistikë ajrore, por në të njëjtën kohë ka hapur një kanal diplomatik me Turqinë. Erdogan kërkon respektimin e armëpushimit të vendosur, ndërsa banorët e Idlibit duket se mbështesin lëvizjet e tij.

“Shpresojmë që ushtria e Turqisë që hyri në Idlib jo vetëm të ndalojë regjimin, por edhe të rikthejë njerëzit në shtëpitë e tyre pasi aktualisht janë të shumtë të mbledhur në një vend”, tha Mohammad Tayem, banor i zhvendosur. “Shpreson që kjo ushtri të bëjë atë që premton, të shtyjë mbrapsht regjimin. Shpresojmë që ata të mos zhgënjejnë popullin sirian”, u shpreh Yazan Haj Latouf, tjetër banor.

Ndërkohë, situata në provincën Idlib mbetet katastrofike: që prej nisjes së ofensivës sëre në dhjetor, mbi 586 mijë persona kanë lënë shtëpitë e tyre dhe janë drejtuar kufirit me Turqinë, sipas Organizatës së Kombeve të Bashkuara. Ata që kanë qëndruar po vuajnë nga i ftohti dhe mungesa e ushqimit.