Tre fustanet shqiptare në Oscar – A2

Tre fustanet shqiptare në Oscar

Këtë edicion të 92-të të ceremonisë së ndarjes së çmimeve Oscar, pjesë e tapetit të kuq janë bërë edhe shqiptarët që veshën personalitet që kaluan aty.

Një fustan të zi me cope kadife, dizenjuar nga shqiptarja Dona Matoshi ishte veshja e modeles dhe sipërmarrëses amerikane Blac Chyna. Ajo zgjodhi që bizhutë të ishin në ngjyrë blu ashtu sikurse edhe pjesët e krahëve të fustanit të gjatë që nuk kursehej në dekoltenë e hapur që e bëri edhe më sensuale parakalimin e saj mbi tapetin e kuq.

Valdrin Sahiti kishte krijuar një fustan sateni me ngjyrë të kaltër për aktoren Christine Cavallari, e cila bustin zgjodhi që ta shndërriste me shkëlqimin e një varseje me diamantë që ishin në të njëjtën linjë edhe me vathët e fustanin tejet elegant.

Një fustan saten ka zgjedhur edhe gazetarja dhe prezantuesja e CNN, Xixi Yang, e cila u shfaq në tapetin e kuq me një krijim të stilistes shqiptare Drenusha Xhara. Xhara ka guxuar me ngjyrën e verdhë, prerjen e gjatë në njërën anë dhe dekoltenë mjaft elegante.