Basha pret Kurtin: Të bashkëpunojmë për të mirën e qytetarëve – A2

Basha pret Kurtin: Të bashkëpunojmë për të mirën e qytetarëve

Screenshot 9 2 1100x620

“Qeveria e Kosovës dhe qytetarët e saj mund të mbështeten te Partia Demokratike dhe opozita e bashkuar”, kështu deklaroi kreu i PD, Lulzim Basha në një deklaratë për mediat, pas takimit me kryeministrin e ri të Kosovës, Albin Kurti.

Sipas kreu të demokratëve, bashkëpunimi ekonomik mes dy vendeve tona është prioritetet për të rritur mirëqenien e qytetarëve dhe për të shmangur shpopullimin, për të cilin ai fajësoi kapjen e shtetit nga krimi i organizuar.

“E sigurova kryeministrin Kurti se për Partinë Demokratike dhe opozitën e bashkuar prioritetet e bashkëpunimit me Republikën e Kosovës janë të qarta dhe ne do të bëjmë gjithçka për të ndihmuar në tregtinë e lirë, në integrimin ekonomik të Shqipërisë dhe Kosovës, për t’i dhënë shanse për punësim qytetarëve tanë, e në veçanti rinisë, për të ndalur shpopullimin që është produkt i drejtpërdrejt i korrupsionit dhe i kapjes së shtetit nga krimi i organizuar. Sikundër dhe për angazhimin tonë sot dhe nesër për të vazhduar fuqimisht mbështetjen tonë për Republikën e Kosovës për njohjet ndërkombëtare dhe për anëtarësimin e saj në organizmat ndërkombëtare. Qeveria e Kosovës dhe qytetarët e saj mund të mbështeten plotësisht te Partia Demokratike dhe opozita e bashkuar”, deklaroi Basha.

Edhe kryeministri Kurti konfirmoi qëndrimin se qeveritë e Shqipërisë dhe Kosovës duhet të jenë në nivelin e detyrës për të ngritur dinjitetin e qytetarëve, të cilët janë më të varfrit jo vetëm në rajon.

“Do të bashkëpunojmë në mënyrë që Kosova dhe Shqipëria të jenë në nivel të detyrës, jo vetëm zyrtare, por edhe historike për qytetarët tanë, të cilët, siç e dimë janë edhe në varfërinë më të madhe edhe në papunësinë më të madhe dhe jo vetëm në rajonin tonë. Pra është obligimi ynë si politikanë të jemi në shërbim të qytetarëve të Kosovës dhe Shqipërisë për të ngritur dinjitetin dhe mirëqenien e tyre”, u shpreh Albin Kurti.