Fondet për tërmetin, Meka propozon obligacionet e përhershme – A2

Fondet për tërmetin, Meka propozon obligacionet e përhershme

Elvin Meka 1100x620
Video

Qeveria do të dalë në tregjet ndërkombëtare me një eurobond të ri prej 600 milionë euro. Për ekspertin e tregjeve financiare, Elvin Meka, pjesa me e madhe e borxhit do të shkojë në funksion të rindërtimit, ndërsa një pjesë për të shlyer borxhin e vjetër. Sipas tij, një maturim 10-vjeçar do të shmangte një tjetër eurobond në të ardhmen.

“Borxhi të mos shkojë në limitet e sipërme. Nuk duhet të kalohet shifra 3 përqind, pasi e lehtëson barrën. Do të jetë një borxh relativisht i gjatë, 7 apo 10 vjet. E mira do të ishte 10 vjeçar për të mos pasur nevojën e ridaljes shpesh në treg”, shprehet Elvin Meka, ekspert për tregjet financiare.

Sipas Mekës, qeveria mund të marrë në konsideratë obligacionet e përjetshme, si një opsion i favorshëm për t’i dhënë zgjidhje situatës emergjente në të cilën ndodhet vendi pas tërmetit.

“Normat e interesit të këtij borxhi, përveç specifikës që ai ka, negociohen gjithmonë në nivele të ulëta. Kjo mund të ndihmonte edhe bankat, por edhe individët”, shprehet eksperti.

Fluksi i madh i eurove që pritet të hidhen në treg nga eurobondi dhe Konferenca Donatorëve do të ndikojnë në kursin e këmbimit, që sipas Mekës, do të kërkojë një vëmendje të shtuar nga Banka e Shqipërisë për të menaxhuar situatën.