Kurti në Presidencë, Meta: Qeveria e Kosovës të jetë shembull i mirëqeverisjes në rajon – A2

Kurti në Presidencë, Meta: Qeveria e Kosovës të jetë shembull i mirëqeverisjes në rajon

Kurti Meta 1100x620

Albin Kurti, kryeministri i ri i Kosovës, pas takimit të tij me Ramës, është pritur në Presidencë nga Ilir Meta.

Mësohet se në takim është diskutuar rreth intensifikimit të bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve, proceseve integruese në BE, si dhe zhvillimeve në rajon. Meta i tha Kryeministrit Kurti se: “Qeveria e tij i ka të gjitha mundësitë të jetë një shembull pozitiv i mirëqeverisjes në rajonin tonë”.

Presidenti Meta tha se Shqipëria mbështet dialogun Kosovë-Serbi, për normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve.

“Në këtë kuadër, – tha Kreu i Shtetit, “janë të mirëpritura dhe përpjekjet e SHBA-ve dhe BE-së, për rifillimin e dialogut mes Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë”.

“Është e rëndësishme, – vijoi Presidenti Meta, “që të gjitha forcat politike të Kosovës të jenë të bashkuara rreth një platforme gjithëpërfshirëse në këtë proces”.

Presidenti Meta shprehu besimin e plotë se institucionet e Kosovës do të vijojnë të përfaqësojnë interesin më të mirë të Kosovës në dialogun me Serbinë. Presidenti Meta inkurajoi gjithashtu bashkëpunimin e ngushtë me partnerët strategjikë, SHBA, Gjermaninë, Britaninë e Madhe dhe partnerët e tjerë, që kanë patur një rol vendimtar në pavarësinë e Kosovës.