Kurti: Takimi për makro shengenin shqiptar. Rama: S’ka makro shengen pa mini shengenin rajonal – A2

Kurti: Takimi për makro shengenin shqiptar. Rama: S’ka makro shengen pa mini shengenin rajonal

ec502a59 e687 4643 a282 86574049525b 1100x620

Vizitën e parë si Kryeministër jashtë Kosovës, Albin Kurti e zhvilloi në Shqipëri, ku me homologun Edi Rama ranë dakord për nevojën e një shpejtësie të re në marrëdhëniet mes dy shteteve shqiptare në rajon.

Për këtë, një tjetër mbledhje e përbashkët e dy qeverive do të zhvillohet në Shkodër, në fund të muajit mars. Por dy kryeministrat duket se ende nuk kanë gjetur gjuhën e përbashkët sa i përket çështjes së shengenit ballkanik.

“Dua të them që ishte kënaqësi të mirëpresim sot delegacionin e kryesuar nga kryeministri i ri i Kosovës. Më vjen mirë që kemi pasur një komunikim të hapur, të rëndësishëm, për ku jemi dhe ku duam t’i çojmë marrëdhëniet tona, duke synuar një shpejtësi të re në drejtim të bashkëpunimit në të gjitha fushat dhe duke gjetur angazhim të plotë. Kemi rënë dakord të fillojmë përgatitjet për mbledhjen e dy qeverive, e cila do të mbahet në Shkodër. Duhet të bëjmë një mbledhje sa më produktive dhe në të gjitha hapësirat mes dy mbledhjeve të qeverive do të vendosim një komision të përbërë nga ministra për të ndjekur ecurinë e marrëveshjeve dhe identifikuar problematikat dhe adresimin e tyre në mbledhjet e dy qeverive”, tha Rama.

Më tej, Rama theksoi se jemi të gatshëm për të hequr kufirin mes dy shteteve. “Ne jemi 100% në mbështetje të Kosovës në betejën për njohjen si një shtet sovran”.

Kurti u shpreh në fjalën e tij se është diskutuar pak për mini shengenin ballkanik, por theksoi se është sot në Tiranë për makro shengenin shqiptar.

“I gëzuar që ndodhem në Tiranë dhe një orë dhe bëhet një javë që jam në detyrën e re. Vendi i parë që vizitova jashtë Prishtinës ishte Prekazi dhe shteti i parë duhet të ishte Shqipëria. Ju falënderoj për mikpritjen dhe për bisedën konstruktive., Në dekadën e tretë të shekullit XXI të kemi një fillim të fuqishëm të bashkëpunimit Kosovë-Shqipërisë. Ramë dakord të krijojmë një komision ndërshtetëror që 77 marrëveshjet e nënshkruara deri tani të zbatohen dhe të shtohen me të tjera. Duam që ta shtojmë bashkëpunimin duke e thelluar atë. Falënderoj Shqipërinë për ndihmën e përkrahjen e pakursyer për Kosovë. Kosova nuk do ja dilte me sukses në luftë e në paqe ndaj Serbisë pa Shqipërinë. Besoj se do ta dëshmojmë se dy ta avancojmë bashkëpunimin tonë shtetëror në përmasa që i ka dëshiruar kombi ynë dhe do ta ketë rastin pikërisht me ne. Kjo ishte një temë e trajtuar shkurtimisht, meqë takimi sot ishte për makro shengenin shqiptar se sa për mini shengenin ballkanik”, tha Kurti.

Rama e mori fjalën menjëherë më pas duke theksuar se nuk ka makro shengen pa mini shengenin ballkanik. “Në këtë pikë ne kemi një diskutim për të çuar përpara. Unë besoj se s’ka makro shengen shqiptar pa mini shengen ballkanik. Unë besoj se makro shengeni shqiptar është lidhur ngushtësisht me mini shengenin rajonal sepse nëse ne jemi konsistent në vazhdën e procesit të Berlinit dhe nëse ne jemi të harmonizuar në ndërveprimin tonë, ç’ka do të bëjmë çmos, atëherë na hapet rruga që është e mbyllur prej të gjitha viteve për të pasur një hapësirë të përbashkët mes dy shteteve. Për të pasur lëvizje të lirë, të mallrave, por edhe të njerëzve. Sot, është vetëm në dorën tonë. Dua ta them që këtë rezistencë unë e kam thyer dhe na takon të bëjmë më të mirën. Askush, as Serbia nuk na thonë dot se po bëjmë Shqipërinë e madhe nëse heqim kufirin. Për këtë arsye kam diskutuar edhe me kryeministrin për të filluar menjëherë nga puna”, tha Rama.