Ndryshimet në ligjin e Kushtetueses, Çlirim Gjata: procedura e re e betimit, antiligjore – A2

Ndryshimet në ligjin e Kushtetueses, Çlirim Gjata: procedura e re e betimit, antiligjore

clirim gjata sinkr frame 468 1100x620

Një ditë para se të kalojnë në Kuvend ndryshimet në ligjin për Gjykatën Kushtetuese, Partia Demokratike i quan ato antiligjore. Procedura e re e betimit me shkrim, sipas Çlirim Gjatës, është antikushtetuese, për aq kohe sa ligji themeltar i shtetit e detyron, qe ky betim duhet bërë para Presidentit.

“Edi Rama ka parashikuar të kryejë të enjten një goditje të rëndë ndaj reformës në drejtësi dhe Kushtetutës së vendit, me qëllim heqjen e çdo pengese ligjore për planet e tij për të kapur Gjykatën Kushtetuese. Kontrolli prej tij i gjykatës që do të gjykojë vlefshmërinë apo jo të votimeve moniste të 30 qershorit, e ka detyruar Edi Ramën të deformojë akoma më shumë reformën në drejtësi”, tha Gjata.

“Pasi dështoi me skemën për të imponuar emërime të paligjshme në këtë gjykatë, Edi Rama po tenton të ndryshojë procedurën e betimit të anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese. Shërbëtorët e tij në drejtësi nuk do të shkojnë më të bëjnë betimin para noterit, siç ndodhi pak javë më parë, por do ta bëjnë atë me postë, përmes një deklarate e shkrim. 

Ky akt shkon kundër interesit të qytetarëve shqiptarë, të cilët duan një drejtësi të pavarur, duan një gjykatë kushtetuese që mbron interesin publik dhe jo interesin privat të politikanëve dhe kryeministrit të vendit. Kushtetuta e Shqipërisë e ka dhënë vetë zgjidhjen. Në rast konflikti shkohet në Gjykatën Kushtetuese. Por 4 vjet pas miratimit me konsensus të ndryshimeve Kushtetuese për reformën në drejtësi, Gjykata Kushtetuese akoma nuk është funksionale, sepse Edi Rama e ka zvarritur për të bërë këtë që ka planifikuar të enjten- të marrë kontrollin politik edhe të gjykatës më të lartë të vendit.

Për Partinë Demokratike ky është një akt I dënueshëm, që shkon kundër aspiratës së shqiptarëve për një shtet ligjor, që funksionon me standardet më të mira europiane dhe për një drejtësi që të barabartë për çdo qytetar”, shtoi ai.