Nis misioni pranë Diellit, sondë në 500 gradë celsius! – A2

Nis misioni pranë Diellit, sondë në 500 gradë celsius!

Konsiderohet një projekt mjaft ambicioz: sonda europiane “Solar Orbiter” e drejtuar për në Diell ka nisur misionin e saj pasi u lëshua nga një bazë amerikane me raketën “Atlas 5”.

Agjencia Hapësinore Europiane në bashkëpunim me NASA-n, pas disa dështimeve për probleme teknike, arritën të lëshonin sondën, e cila në udhëtimin 3-vjeçar do të eksplorojë 42 milionë kilometra sipërfaqe të Diellit.

Do të jetë hera e parë që një anije kozmike do t’i afrohet aq shumë burimit tonë kryesor të dritës, në një zonë me rrezatim të fortë dhe temperaturë deri në 500 gradë celsius. Për lëshimin e misionit u shfrytëzua rreshtimi mes Tokës dhe Venusit, që mundësoi kalimin e sondës mes trajektores ideale duke përdorur dhe shtysën gravitacionale të dy planetëve.

Synimi i këtij misioni është që të arrijë sa më afër diellit dhe të fotografojë imazhe të poleve të Diellit tonë dhe të marrë të dhëna të paçmueshme për të studiuar fushën magnetike të tij. Nga “Topi Gjigand i Zjarrit” varen fenomene të rëndësishme si cikli 11-vjeçar i aktivitetit solar dhe stuhitë e dhunshme, efektet e të cilave në Tokë shkaktojnë aurora spektakolare polare ose dhe dëme në satelite.