Riatdhesohen nga Franca dhe Belgjika 40 shqiptarë, nga fillimi i vitit janë kthyer 808 – A2

Riatdhesohen nga Franca dhe Belgjika 40 shqiptarë, nga fillimi i vitit janë kthyer 808

40 shqiptarë janë riatdhesuar këtë të martë në vend pasi iu ishte refuzuar kërkesa për azil nga Franca dhe Belgjika.

Policia e Shtetit njoftoi se operacionet e riatdhesimit të atyre u realizuan në bashkëpunim me Frontex-in dhe Zyrën Franceze për Emigracionin (O.F.I.I.). Prej tyre, 34 u kthyen nga Franca dhe 6 nga Belgjika.

Policia bëri gjithashtu të ditur se prej 1 janarit 2020 e deri sot, janë riatdhesuar 808 shtetas shqiptarë, në bashkëpunim me Frontex-in, të cilët kanë pasur si qëllim kërkimin e azilit në vendet e BE-së.

“Ministria e Brendshme dhe Policia e Shtetit apelojnë edhe një herë për të gjithë ata shtetas që udhëtojnë në hapësirën Shengen që të mos bëjnë asnjë përpjekje për të aplikuar për azil në Francë apo në çdo shtet tjetër të BE-së dhe të mos bëjnë asnjë shpenzim duke paguar ata që duan të përfitojnë duke i mashtruar se do t’u sigurojnë azil, pasi rezultati në të dyja rastet do të jetë negativ. Shqipëria është një vend i sigurt dhe shanset për të marrë azil janë zero”, thuhet në njoftimin e Policisë.