“Tarifa të hiqet”, Grenell kundër vendimit të Kurtit për reciprocitet – A2

“Tarifa të hiqet”, Grenell kundër vendimit të Kurtit për reciprocitet

EO9ys2rXkAsKhah 1100x620

Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk e shohin me sy të mirë qëndrimin e qeverisë së re të Kosovës. I dërguari i posaçëm i Uashingtonit për Beogradin dhe Prishtinën, Richard Grenell bën thirrje për pezullimin e tarifës 100% dhe kërkon që të mosvendoset masa e reciprocitetit në tregti, politikë dhe ekonomi.

Qëndrimin e tij e bëri të ditur zëdhënësi, Dick Custin për Radion Evropa e Lirë. “Kosova duhet t’i heqë tarifat për mallrat e Serbisë dhe të mos implementojë reciprocitet. Jo vetëm t’i pezullojë tarifat, por t’i heqë ato plotësisht”, tha ai.

Thirrja e Grenell, që shërben dhe si ambasador i Amerikës në Gjermani, vjen pas shtysës sëre që po i jep vendosjes së marrëdhënieve diplomatike mes dy shteteve. Ai kërkon që të arrijë një zgjidhje përfundimtare dhe të pranueshme për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë.

Qëndrimi i Grenell është kundërshtuar nga zëvendëskryeministri Haki Abazi, i cili thekson se qeveria e Albin Kurtit kërkon që Serbia të mos sabotojë shtetin e Kosovës. Ekzekutivi i Prishtinës, përveç presionit ndërkombëtar, duhet të përballet dhe me kundërshtimin e opozitës për heqjen e tarifës 100% kundër mallrave serbe.

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës po shqyrton një sërë mundësish për të penguar shfuqizimin e vendimit të tij kur ishte kryeministër në nëntor të vitit 2018. Shefi i Grupit Parlamentar i AAK-së, Daut Haradinaj, tha se seanca e jashtëzakonshme është një ndër opsionet nëse tentohet të kontrabandohet vendimi për heqjen e tarifës.