U kap me armë dhe para, Policia reagon për ndalimin e Vladimir Gjutës – A2

U kap me armë dhe para, Policia reagon për ndalimin e Vladimir Gjutës

vladimir gjuta 1100x620

Policia ka bërë të ditur se ka nisur hetimi pasuror ndaj Vladimir Gjutës, i cili një ditë më parë u kap me armë zjarri dhe një shumë të madhe parash.

Mësohet se policia ka sekuestruar edhe një automjet të blinduar që e kishte në përdorim 40-vjeçari.

“Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 3, në rrugën “Çamëria”, rreth orës 08:45, të datës 10.02.2020, bënë kapjen dhe arrestimin në flagrancë të shtetasit V. Gj, 40 vjeç, banues në Tiranë, i dënuar më parë. Në momentin e kapjes nga Patrullat e Përgjithshme të Komisariatit të Policisë Nr. 3, këtij shtetasi iu gjetën me vete një armë zjarri pistoletë me municion luftarak, një dorezë grushti metalike, si dhe një sasi e madhe parash në valutë dhe lekë shqiptare. Shërbimet e Policisë, në bashkëpunim me Sektorin për Krimin Ekonomik e Financiar  dhe atë të Krimeve ndaj Jetës dhe Personit në DVP Tiranë, kanë ushtruar kontroll në banesën e këtij shtetasi, ku kanë gjetur dhe sekuestruar edhe shuma të tjera parash. Në total iu gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale: 121.100 euro, 27.500 dollarë amerikanë, 22.970 paund anglez dhe 664.500 lekë të reja. Po gjatë kontrollit të banesës së shtetasit V. Gj, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan edhe një mjet të blinduar  autoveturë Audi A8, me të cilën qarkullonte ky shtetas”, thuhet në njoftimin e policisë.