Salianji: OFL, shfaqje propagandistike. Pse nuk vepron ndaj Olsi Ramës? – A2

Salianji: OFL, shfaqje propagandistike. Pse nuk vepron ndaj Olsi Ramës?

Ervin Salianji 1100x620

Partia Demokratike ka reaguar me anë të Ervin Salianjit për Operacionin Forca e Ligjit, duke e cilësuar atë si shfaqje propagandistike me bllokimin e automjeteve të blinduara, të pajisur me leje të lëshuara nga vetë policia, por nuk bllokojnë makinën e blinduar të Olsi Ramës.

“Edi Rama dhe ushtari i tij në Ministrinë e Brendshme, Sandër Lleshaj kanë standard të dyfishtë në zbatimin e ligjit. Ata urdhërojnë shfaqje propagandistike me bllokimin e automjeteve të blinduara, të pajisur me leje të lëshuara nga vetë policia, por nuk bllokojnë makinën e blinduar të Olsi Ramës. Partia Demokratike solli fakte se mjeti i blinduar me të cilin Edi Rama lëviz në shkelje të rregullave, i përket Olsi Ramës. Megjithatë i ashtuquajturi Operacion i Forcës së Ligjit dhe Policia e Shtetit vazhdojnë të heshtin, duke mos dhënë asnjë shpjegim pse Olsi Rama është i paprekshëm dhe mbi ligjin. Partia Demokratike disponon të dhëna të plota se Policia e Shtetit është e udhëzuar të mos ndalojë në asnjë rrethanë automjetin e blinduar Linkoln me targën TR 0370 T. Makina e blinduar e Olsi Ramës lëviz si të kishte imunitet diplomatik, njësoj siç lëvizte makina private e Saimir Tahirit, audi AA 003 GB, që përdorej nga trafikantët e drogës së bandës së Habiljave.

Më tej, Salianji thotë se Edi Rama dhe Sandër Lleshaj duhet t’u thonë shqiptarëve pse nuk vepron ligji për vëllanë e kryeministrit. Jo vetëm për automjetin e tij të blinduar, por edhe për pasurinë e bashkëpunëtorëve dhe miqve të tij të dënuar për ngritjen e laboratorit të kokainës në Xibrakë.

“Edi Rama duhet t’i japë shqiptarëve edhe një shpjegim tjetër që lidhet direkt me vëllanë e tij, makinën e blinduar të të cilit ai e përdor në shkelje të rregullave dhe i jep imunitetin e të paprekshmit nga policia. Në çfarë aferash është përfshirë Olsi Rama dhe çfarë e rrezikon atë, duke e detyruar të përdorë një makinë të blinduar, e krijuar për mbrojtjen nga goditja me armë zjarri? Spektakli me makinat e blinduara është një flluskë e propagandës bajate të Edi Ramës. Edhe gjoja spektakli me sekuestrimin e pasurive të krimit të organizuar po rezulton një dështim, sepse një kryeministër që ka përdorur paratë e krimit për të ardhur në pushtet dhe për ta mbajtur pushtetin nuk mund të luftojë krimin. Lufta e vërtetë kundër krimit të organizuar do të thotë që Edi Rama të presë vetë  këmbët e karriges ku është ulur, por ai nuk ka vullnetin për ta bërë këtë. E gjithë karriera e tij politike është bazuar tek trafikantët e drogës”.