Telushi bën heroin, por Partizani eliminohet nga Kupa – A2

Telushi bën heroin, por Partizani eliminohet nga Kupa

Partizani Beslidhja Kupa e Shqiperise 1 1100x620

Partizani është eliminuar nga Kupa e Republikës, në raundin e 1/8-ave, pasi nuk arriti të kalonte Besëlidhjen në sfidën e dyfishtë. Të kuqtë fituan ndeshjen e kthimit me rezultatin 3-1, por më parë ishin mundur 3-0 në Lezhë, rezultat që në fund i ndëshkoi. Të tre golat për Partizanin i shënoi Bruno Telushi, por kjo nuk mjaftoi për të realizuar kalimin e turit.

Formalitet për Tiranën dhe Kukësin në sfidat respektive kundër Kastriotit dhe Lushnjës. Bardheblutë fituan 4-0 në kryeqytet, pasi kishin fituar 3-1 takimin e parë jashtë fushe. Ndërsa kryesuesit e renditjes fituan 3-0 kundër lushnjarëve, pasi kishin fituar 1-0 në fushën e tyre në ndeshjen e parë.

Tirana, formalitet kundër Kastriotit

Vllaznia arriti të kualifikohej për në çerekfinale duke fituar 2-0 në Vlorë, në një sfidë të ekuilibruar pas barazimit 2-2 në ndeshjen e vajtjes në “Loro Boriçi”. Bylis gjithashtu arriti të kalonte në fazën tjetër duke u mundur 3-2 në Laç, pasi kishte fituar 2-0 në Ballsh.

Apolonia është skuadra e dytë nga Kategoria e Parë, përveç Besëlidhjes, që mbetet në garë, pasi eliminoi Luftëtarin. Pas fitores 3-0 në Fier, barazimi pa gola në Gjirokastër konfirmoi kualifikimin. Më tej kaluan edhe Skënderbeu, që pas fitores 2-0 në Kavajë kundër Besës, mori një tjetër sukses me rezultat minimal në Korçë. Edhe Teuta i bashkohet 8 skuadrave çerekfinaliste, pasi mundi 3-1 Erzenin në Durrës, ndërkohë që kishte fituar edhe ndeshjen e parë me të njëjtin rezultat.