5 vite nga reforma territoriale, Bozdo: Pranohet gjerësisht se ka sjellë probleme – A2

5 vite nga reforma territoriale, Bozdo: Pranohet gjerësisht se ka sjellë probleme

Enno Bozdo Ditari Reforma Territoriale 1100x620
Video

Enno Bozdo, anëtari i kryesisë së Partisë Demokratike, u shpreh në A2 se reforma territoriale ka sjellë probleme dhe kjo pranohet edhe nga kryebashkiakët socialistë, thotë ai.

Bozdo shprehet se prioritet aktual është reforma zgjedhore, por idealja, thekson ai do të ishte një datë e re zgjedhjesh dhe një diskutim për reformën territoriale.

“Çështja e reformës territoriale ka qenë një çështje e nxehtë në të gjitha diskutimet e Partisë Demokratike dhe besoj se tashmë, 5 vite nga reforma, kemi të drejtë morale të gjykojmë nga pikëpamja administrative, por edhe nga pikëpamja politike, nëse kjo reformë ka qenë apo jo e suksesshme. Pranohet gjerësisht edhe nga ata që e hartuan dhe e implementuan këtë reformë se ka sjellë shumë probleme. Ndarja territoriale, jo vetëm që nuk ka sjellë atë që u premtua, por shërbimet janë gjithmonë e më larg qytetarit. Hartat nuk përbëjnë sens. Hartat janë bërë për të favorizuar rezultatet politike në tavolinë. Kjo pohohet gjerësisht edhe nga kryebashkiakët socialistë.

Besoj që është një çështje që duhet trajtuar. A do të jetë një kusht i padiskutueshëm apo jo? Unë nuk besoj dhe nuk është ky çasti për të thënë. Ne kemi bërë të qartë se do të hyjmë në tryezën e reformës zgjedhore. Ne kemi bërë propozimet tona dhe tashmë të shohim se si do të reagojë mazhoranca.

Do të ishte ideale që bashkë me një datë të re për mbajtjen e zgjedhjeve vendore, do të hynim edhe një diskutim se çfarë mund të korrigjohet nga kjo hartë që është paraqitur dhe kush është edhe kuadri ligjor që duhet të amendohet. Ne përballemi sot me një krizë të thellë politike, ekonomike dhe sociale. Një krizë e tillë kërkon zgjidhje të menjëhershme. Zgjedhjet e përgjithshme dhe vendore në të njëjtën kohë janë zgjidhja. Megjithatë, fokusi ynë kryesor sot është reforma zgjedhore”, u shpreh Bozdo.