Frika nga koronavirusi, u ble në janar, Ighalo në karantinë te Man. United – A2

Frika nga koronavirusi, u ble në janar, Ighalo në karantinë te Man. United

MANCHESTER UNITED IGHALO frame 403 1100x620

Frika e koronavirus ka përfshirë edhe futbollin. Në Angli janë regjistruar situata të pazakonta, të cilat lidhen me Manchester United. Në krizë rezultatesh dhe në kërkim të përforcimeve cilësore, gjatë merkatos së janarit “Djajtë e Kuq” afruan Odion Ighalo.

Lojtari u huazua nga kampionati kinez, ku aktivizohej me Shanghai Shenhua. Frika nga virusi që ka përhapur panik në mbarë botën, bënë që klubi dhe stafi teknik të vendosnin që sulmuesi të zhvillonte stërvitje të diferencuar.

Për të mos rrezikuar pjesën tjetër të ekipit, 30-vjeçarit iu përcaktua që përgatitjet t’i zhvillonte në terrene larg pjesës tjetër të futbollistëve.

Gazeta “The Times” zbuloi situatën e pazakontë, duke shpjeguar se frika nga koronavirusi është arsyeja përse dy javë pas transferimit në Old Trafford, Ighalo ende nuk është takuar me shokët e rinj. Si masë paraprake sigurie, për 14 ditët kur patogjeni shfaq simptomat e para, lojtari nigerian është lënë në karantinë.

Sulmuesi do të ketë mundësi që t’i bashkohet ekipit vetëm gjatë kësaj fundjave, në prag të ndeshjes ndaj Chelsea në Premier League. Ighalo cilësohet një alternativë mjaft e mirë për sulmin, pas dëmtimit të Rashford.

Frika nga koronavirus ka bërë që Manchester United të ndryshojë edhe hotelin, për grumbullimin e shkurtër të parashikuar në Marbella. Mediat britanike njoftuan se klubi anuloi rezervimin në resortin luksoz në Spanjë, sepse gjatë javës së kaluar, aty ishte akomoduar Dalian Yifang, skuadra kineze e drejtuar nga Rafa Benitez.