Me para dhe armë pranë selisë së PS, Gjykata jep “arrest me burg” për Vladimir Gjutën – A2

Me para dhe armë pranë selisë së PS, Gjykata jep “arrest me burg” për Vladimir Gjutën

Vladimir gjuta 1100x620
Video

Gjykata e Tiranës caktoi masën e sigurisë “arrest në burg” për Vladimir Gjutën. Ai u prangos të hënën pak metër larg selisë së Partisë Socialiste, teksa mbante me vete një pistoletë pa leje, një dorëze grushti dhe 121 mijë euro të thata. Në momentin e arrestimit, në seli ndodhej edhe kryeministri Edi Rama.

Në seancën e zhvilluar me dyer të mbyllura gjykata pranoi kërkesën e prokurorisë për izolimin në qeli të Gjutës për akuzën e “armëmbajtjes pa leje” dhe “pastrimit të parave”. Sipas burimeve, para gjykatës i dyshuari pretendoi se armët i kishte për vetëmbrojtje, ndërsa paratë ishin të ligjshme. Pas seancës avokati i tij mohoi çdo dyshim të ngritur për praninë e Gjutës me armë pranë selisë së PS.

Vendimi i Gjykatës së Tiranës riktheu në paraburgim Gjutën një javë pasi doli nga qelia, ku qëndronte për shkak të dhunimit të kushëririt të tij. Në vitin 2015 ai u arrestua si i dyshuar për sulmin me tritol ndaj farmacisë së babait të ish-ministrit Saimir Tahiri, por çështja ndaj tij u pushua për mungesë provash.