Nuk durojnë më karantinën, dy gra “arratisen” nga spitali – A2

Nuk durojnë më karantinën, dy gra “arratisen” nga spitali

Screenshot 3 9 1100x620

“Nuk mund të qëndrojmë të mbyllura brenda një kafazi”, kështu deklaruan dy gra përpara se të arratiseshin nga spitalet e tyre në Samara dhe Shën Peterburg, ku mbaheshin të mbyllura në karantinë nga frika se mund të ishin prekur nga koronavirusi, pasi sapo ishin kthyer nga një vizitë në Hainan.

Sipas historive të tyre të publikuara në rrjetet sociale, të dy gratë bëjnë me dije se morën vendimin për t’u larguar nga karantina për shkak të kushteve shumë të këqija në spitale, frikës se mund të prekeshin nga koronavirusi dhe sjelljes jo bashkëpunuese të mjekëve.

Gruaja e parë, Guzel Neder, e cila u largua nga dritarja e spitalit në Samara, bën me dije se u fut në karantinë pasi djali i saj kishte temperaturë 37.3 pasi u kthyen nga një vizitë në Kinë, ku ishte bashkë me familjen. Nënë e bir iu nënshtruan testeve për koronavirusin, por testet nuk dolën asnjëherë dhe kur e reja kërkoi shpjegime nga mjekët ata nuk ia dhanë. “Nuk kishte rrugëdalje tjetër për ne përveçse të largoheshim nga ajo strukturë pa një autorizim”, u shpreh Guzel në Instagram

Ndërsa gruaja në Shën Peterburg tregon se kishte ndjerë dhembje fyti pasi ishte kthyer nga qyteti kinez i Hainan dhe për këtë arsye kishte shkuar në spital për të qenë e qetë. Ajo shprehet se iu nënshtrua 3 testeve për koronavirus dhe të tre rezultuan negativë dhe për këtë arsye nuk e kuptonte se përse mbahej ende e mbyllur në karantinë.

Vajza më pas dëmtoi bravën e derës ku mbahej mbyllur dhe iku nga spitali duke shtuar se nuk e ndoqën dhe kërkuan më as policia dhe as mjekët.