Presidenti kërkon më shumë fonde për ushtrinë, duke “pushtuar” Parlamentin me ushtarë – A2

Presidenti kërkon më shumë fonde për ushtrinë, duke “pushtuar” Parlamentin me ushtarë

Ushtarë të armatosur dhe efektivë policie shoqëruan Presidentin e El Salvadorit, Nayib Bukele, ndërsa mësyu në sallën e Parlamentit, për t’u kërkuar deputetëve të opozitës që të miratonin planin e tij për një hua prej 109 milionë dollarësh, për të forcuar pajisjet e personelit ushtarak dhe forcave të rendit.

Tensionet mes Presidentit dhe deputetëve kanë qenë të larta së fundmi, pikërisht për këtë hua, e cila do të financojë fazën e tretë të Planit të Kontrollit të Territorit, një nismë e Bukeles për të ndaluar bandat kriminale të vendit, mes tyre Mara Salvatrucha, një prej grupeve kriminale më të rrezikshme që vepron edhe në Shtetet e Bashkuara.

El Salvador ka një prej niveleve të vrasjeve më të lartë në botë. Sipas shifrave të publikuara nga autoritetet atje, në maj të vitit të kaluar, mesatarja e vrasjeve ditore ishte 9,2. Këtë janar, kjo shifër ka rënë në 3,2, sipas qeverisë, për shkak të planit të Presidentit. Para se të largohej nga salla, Bukele u dha një javë kohë deputetëve për të miratuar planin e tij.