U habitët javën e kaluar për Antarktidën me 18 gradë? Dy ditë më vonë ishte 21

antarktida 1100x620

Bëri bujë në mediat ndërkombëtare lajmi se në Antarktidë javën e kaluar, pikërisht në 7 shkurt,  u regjistrua temperatura më e lartë e regjistruar ndonjëherë aty, 18.3 gradë celsius. Një temperaturë që kujton më shumë brigjet e Mesdheut sesa “kontinentin e akullt”.

Shumë studiues reaguan të preokupuar nga të dhënat, sinjal tronditës sipas tyre të ngrohjes globale, me pasoja tashmë të dukshme.

Pak ditë më vonë, pamje satelitore treguan shkëputjen e një ajsbergu gjigant me sipërfaqe 300 km katrorë, duke rritur shqetësimet për rritjen e paevitueshme të nivelit të detit.

Por gjërat po ndryshojnë me një shpejtësi që po habit vetë shkencëtarët. Dy ditë më vonë, një tjetër rekord u thye në ishullin Seymor, pjesë e Antarktidës. Studiuesit brazilianë matën temperaturën rekord të 20.75 gradëve celsius, rekord absolut në atë zonë.

Një situatë e cilësuar si tërësisht anormale nga vetë studiuesit, që po vijojnë vrojtimet.