Basha pret “Venecian”: Shqipëria, në krizë kushtetuese – A2

Basha pret “Venecian”: Shqipëria, në krizë kushtetuese

Basha venecia 1100x620
Video

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, së bashku me përfaqësues të opozitës, zhvilloi një mëngjes pune me delegacionin e Komisionit të Venecias që ka mbërritur në Tiranë në lidhje me çështjen e emërimit të anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese.

Kryetari Basha ishte në krye të delegacionit të opozitës të përbërë nga nënkryetari i LSI, Petrit Vasili, Sekretari i Përgjithshëm i PD, Gazment Bardhi dhe ish deputeti Oerd Bylykbashi.

Pas takimit, Basha deklaroi para gazetarëve se vendi ndodhet në krizë kushtetuese dhe rruga e daljes prej saj është vetëm kthimi i legjimitetit të institucioneve.

“Takimi me ekspertët ishte shumë i frytshëm,. Shqipëria është në krizë të thellë kushtetuese. Shenjat janë lëvizjet e javëve të fundit që nuk pret as Komisionin e Venecias por çon për miratim akte të tjera që kapin Kushtetuesen. Gjithçka në këtë vend kontrollohet nga një grusht njerëzish. Rruga e daljes është e qartë. Të kthehet legjitimiteti i institucioneve. Kjo është zgjedhja sot para shqiptarëve. Zgjidhja që ne kërkojmë nuk e kërkojmë për veten tonë. Ne sakrifikuam gjithçka për t’i hapur një zgjidhje për shqiptarët. Opozita bashkë me qytetarët do marrin vendimet për t’u përballur me një grusht njerëzish që kanë marrë peng vendin”, u shpreh Basha.

Anëtarët e Komisionit të Venecias vijojnë takimet faktmbledhëse për çështjen e emërimit të gjyqtarëve dhe ngërçin politik që u krijua me mos emërimin e Arta Vorpsit si anëtare e Gjykatës Kushtetuese pasi nuk u njoh si e përzgjedhur nga presidenti.

Gjatë ditës së djeshme në Tiranë ata u takuan me kryeparlamentarin Ruçi, komisionin hetimor për shkarkimin e presidentit, Presidentin e Republikës dhe vetë zonjën Vorpsi.

Për këtë çështje, por edhe paketën e ligjeve antishpifje, Komisioni i Venecias pritet të publikojë vendimin më 20 mars.