Gjimshiti, i pazëvendësueshmi i Serisë A: Sulmuesit që më vënë në vështirësi? Ata me të cilët… stërvitem – A2

Gjimshiti, i pazëvendësueshmi i Serisë A: Sulmuesit që më vënë në vështirësi? Ata me të cilët… stërvitem

gjimshiti 1100x620

Edhe pse të gjithë flasin sot për talentin e 20-vjeçarit Marash Kumbulla, një tjetër mbrojtës shqiptar, ndoshta më në heshtje, po vendos rekorde në ekipin e tij që vazhdon të habisë në Serie A dhe në Champions League.  

Berat Gjimshiti do të mbushë 27 vjeç duke luajtur pikërisht në Champions kundër Valencias, si titullar i padiskutueshëm i Atalantës. Por vetëm 2 vite më parë e ardhmja e tij nuk dukej aq brilante sa sot.

“ Ishte vera e 2018, pas eksperiencës në huazim me Beneventon u riktheva në Bergamo. Vendosa të qëndroja, dhe ky ishte vendimi kyç. Kam patur kohë të përmirësohem pa presion dhe fitova hapësira dhe siguri”, thotë Berati në një intervistë për italianen “Gazzetta dello Sport”.

“Gazzetta dello Sport” i kushton sot mbrojtësit kuqezi një faqe intervistë

Jo vetëm fitoi hapësira, mbrojtësi i lindur në Zyrih të Zvicrës nga prindër me origjinë nga Bujanovci, por tashmë ka vendosur edhe rekordin e minutave në fushë për ekipin e tij në sezon, plot 1781.

“As unë nuk e prisja që të luaja kaq shumë, me thënë të drejtën”, rrëfen ai. Jo vetëm ai është përshtatur më së miri me skemat e trajnerit Gasperini, por është përmirësuar edhe si lojtar. “ Më parë dija të luaja vetëm në qendër, tani nuk e kam problem as të djathtën dhe as të majtën. Nuk bëj më shumë faulle, kur isha më i ri ndërhyja më shumë te këmbët”.

Gjimshiti me fanellën e Kombëtares

Për sa i përket sulmuesve që e kanë vënë më në vështirësi në Serie A , ai jep një përgjigje aspak të zakontë. “Ndoshta Belotti i Torinos, por atyre që i druhem më shumë janë sulmuesit me të cilët luaj kundër …në stërvitje, Gomez, Zapata, Ilicic!”, thotë ai.

Disa ekipe të mëdha thuhet se po e ndjekin mbrojtësin e Kombëtares, por ai mban këmbët në tokë. “Varet nga ekipet, duhet parë, sepse personalisht më pëlqen shumë të jetojë në Bergamo”, thotë Gjimshiti.