Klubet me financat më të forta, PSG merr fronin – A2

Klubet me financat më të forta, PSG merr fronin

PSG CITY FUTBOLL FINANCA TABELA frame 0 1100x620

Paris Saint Germain është klubi me financat më të forta në botë. Skuadra francezëve e sheikëve i ka rrëmbyer fronin ManchesterCity-t, një tjetër klubi i cili i siguron milionat nga sheikët arabë. Francezët e shohin veten në krye për herë të parë, në atë që është edicioni i tretë i renditjes speciale te Indeksit të Financave në Futboll.

Përllogaritja bazohet në pesë faktorë kryesorë: vlera e skuadrës aktuale, asetet e klubit, gjendja financiare në bankë, investimi potencial nga pronarët dhe borxhet neto.

Parisienët i morën vendin Manchester City-t, klubit që në dy edicionet e kaluara qëndronte në krye. Falë investimeve nga pronarët arabë, vlera e dy skuadrave së bashku e kalon shifrën e 1 miliardë eurove. Në vendin e tretë të klasifikimit special renditet Bayern Munchen, ndërsa bie në sy dominimi i anglezëve.

Tottenham është surpriza e madhe, me pozicionimin në vendin e katërt, i ndjekur nga Real Madridit, Arsenal, Chelsea dhe Liverpool. Juventus e sheh veten i nënti, ndërsa Borussia Dortmund ka lënë mbrapa dy gjigandë si Atletico Madrid dhe Barcelona. Manchester United ka rënien më të madhe, nga vendi i tetë ka zbritur në të 16-tin.

Tepër interesante janë të dhënat për 30 klubet me financat më të forta në glob. 24 prej tyre, e thënë ndryshe 80% janë skuadra europiane. Anglia ka rolin e “luanit” me mbi 23%, e ndjekur nga Gjermania, Spanja, Italia dhe Franca, ndërsa nuk mungojnë nga një përfaqësues për Rusinë dhe Ukrainën. Tre klube janë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe tre nga Azia, përkatësisht dy nga Japonia dhe një nga Kina. Vlera e përgjithshme e këtyre klubeve përllogaritet në afro 17 miliardë e 400 milionë euro.