NATO i beson Shqipërisë ministerialin e Mbrojtjes, Tirana kryeqendër e sigurisë për dy ditë – A2

NATO i beson Shqipërisë ministerialin e Mbrojtjes, Tirana kryeqendër e sigurisë për dy ditë

Olta Xhaçka Jens Stoltenberg Nato Ministeriali Tirane 1100x620

Pas shume dekadash ministriali i vendeve të NATO-s, do të zhvendoset nga Brukseli në Tiranë.

Pas propozimit të ministres shqiptare të Mbrojtjes, Olta Xhaçka, NATO ka vendosur që ministeriali i qershorit që do të mbahet në datat 17 dhe 18 qershor, të zhvillohet në Tiranë.

Kryeqyteti shqiptar për dy ditë do të jetë kryeqendra e sigurisë, ku do të presë të gjithë ministrat e Mbrojtjes të vendeve anëtarë të NATO-s.

“Vendimi i Aleancës për t’u takuar në Shqipëri është jo vetëm vlerësim maksimal për sigurinë që vendi ynë përcjell si një aleat i denjë, por edhe një mesazh i fortë i NATO për vëmendjen e saj ndaj Ballkanit Perëndimor e rolit të fortë që Shqipëria luan si faktor stabiliteti në rajon”, tha ministrja në përfundim të Ministerialit të Mbrojtjes, mbajtur në Bruksel në 12 dhe 13 Shkurt.

Por, sipas ministres Xhaçka, “takimi i rëndësishëm që pritet të mbahet në Qershor është njëherësh edhe përgjegjësi për tu përfaqësuar siç duhet në eventin më të madh që pas anëtarësimit tonë në NATO, 11 vjet më parë. Është një sipërmarrje që krahas koordinimit mes të gjitha institucioneve do të tregojë edhe seriozitetin tonë për të qenë për 48 orë kryeqendra e mbrojtjes dhe sigurisë në botë”.

Kjo është hera e parë që një ministeriali i NATO-s, zhvillohet në rajonin tonë, duke e vlerësuar Shqipërinë si faktor stabiliteti dhe lider në rajon.