Një dekadë antimafia, shumë sekuestro dhe pak konfiskime

Përballja e shtetit shqiptar me pasuritë e botës së krimit nuk e ka zanafillën me Operacionin Forca e Ligjit. Një dekadë më parë, në janar 2010 hyri në fuqi ligji antimafia që kishte si qëllim parandalimin dhe goditjen e krimit të organizuar përmes konfiskimit të pasurive të krijuara nga veprimtaria kriminale.

Pasuritë e errëta u filtruan paralelisht me gjykimet penale të grupeve kriminale. Por çfarë frytesh solli zbatimi i ligjit antimafia? Sipas të dhënave zyrtare, në harkun kohor 2010-2019, ish-Gjykata për Krimet e Rënda, sot Gjykatë e Posaçme, ka shpallur 102 vendime në total për sekuestrime pasurish.

Mijëra sipërfaqe truall, apartamente, automjete dhe llogari të majme në miliona euro të personazheve të njohur e të panjohur së botës së nëndheshme të krimit, apo familjarëve të tyre u ngrinë deri në verifikimin e pastërtisë. Maksimumi i vendimmarrjeve për sekuestro brenda një viti është regjistruar në vitin 2015 me 19 verdikte, ndërsa më i ulëti në 2013 më 3 të tillë.

Por shiriti i sekuestrimeve është këputur për shumë pasuritë vëna në dyshim si kriminale. Sipas të dhënave në një dekadë zbatim të ligjit antimafia, ish-Gjykata e Krimeve të Rënda ka shpallur vetëm 53 vendime konfiskimi, shifër kjo sa gjysma e vendimeve të sekuestros. Ndër të tjerë zotëruesve të pasurive të kaluara në llogari të shtetit gjenden edhe emrat e Lulëzim Berishës apo Dashamir Gjokës, të cilëve së fundmi u kanë mbërritur në derë edhe shkresat e OFL-së.