Pasuritë e sekuestruara, Lamallari: Agjenci për rikuperimin e aseteve – A2

Pasuritë e sekuestruara, Lamallari: Agjenci për rikuperimin e aseteve

Agjencia e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe Konfiskuara do të kalojë nën varësinë e Ministrisë së Brendshme. Sipas zëvendësministrit të Brendshëm, Besfort Lamallari, tashmë kjo agjenci do të marrë në ngarkim edhe provat materiale, krahas aseteve të sekuestruara nga organet e drejtësisë, por edhe me urdhra administrativë, risi kjo e sjellë në projektligjin e ri.

“Agjencia ngarkohet edhe për administrimin e provave, materiale, me pë rjashtim të atyre që ruhen në sekretari. Do të jetë subjekti i vetëm që merr në dorëzim pasurinë”, tha Lamallari.

Ndërsa theksoi domosdoshmërinë e një regjistri për pasuritë e sekuestruara nga organet kompetente, Lamallari njoftoi se po punohet edhe për ngritjen e një Agjencie të posaçme për mosdegradimin e aseteve.

Projektligji i cili do të kalojë me procedurë të përshpejtuar në Parlament javën e ardhshme, do të shoqërohet me kosto shtesë për buxhetin e shtetit, që do të përballohen nga Fondi Rezervë për vitin 2020.