Rama takon Trudeau, Kanadaja do i bashkohet Konferencës së Donatorëve – A2

Rama takon Trudeau, Kanadaja do i bashkohet Konferencës së Donatorëve

trudeau rama 1100x620

Gjatë vizitës në Mynih, ku po merr pjesë në Konferencën e Sigurisë, kryeministri Edi Rama zhvilloi një takim dhe me homologun kanadez, Justin Trudeau.

Edi Rama bisedoi me kryeministrin kanadez rreth pasojave të shkaktuara nga tërmeti i 26 nëntorit dhe procesin e rindërtimit.

Kryeministri kanadez, pasi shprehu ngushëllimet për familjet e viktimave nga tërmeti konfirmoi pjesëmarrjen e vendit të tij në Konferencën e Donatorëve që do të mbahet më 17 shkurt në Bruksel. Të dy kryeministrat gjithashtu theksuan rëndësinë e thellimit të bashkëpunimit mes Shqipërisë dhe Kanadasë.

“Kënaqësi e vërtetë të ulem sërish me mikun tim, Edi Rama nga Shqipëria. Më jep mundësinë së pari, të shpreh edhe njëherë ngushëllimet e mia për tërmetin e tmerrshëm për të cilin folëm kur u takuam në NATO. Kanadaja është angazhuar për të marrë pjesë edhe në Konferencën e Rindërtimit, në shkurt. Kemi punuar shumë mirë bashkë në misionet e NATO-s. Shqiptarët po kryejnë shërbimin përkrah Kanadasë në Letoni për mision “Enhanced Forward Presence” dhe është kënaqësi të vazhdojmë të shkëmbejmë dhe të kemi një bashkëpunim kaq të mirë me ju, ndërsa ecim përpara”, tha Trudeau.

“Jam shumë mirënjohës dhe e vlerësoj shumë takimin me ju në çdo rast. Ju e dini që keni një ndikim shumë të madh te shumë nga homologët tuaj. Në të njëjtën kohë e dini që jeni edhe Kryeministër i shumë shqiptarëve që jetojnë në Kanada, punojnë shumë dhe kontribuojnë për vendin tuaj, por gjithashtu marrin shumë njohuri dhe të mira nga vendi juaj për familjet e tyre. Do të doja t’ju shpreh edhe mirënjohjen që treguat ndjeshmëri për ato që ndodhën kohët e fundit. Mirënjohës që do të jeni i pranishëm në Konferencë. Duam t’i forcojmë marrëdhëniet. E di që jemi larg, por në një farë mënyre ndihemi shumë të afërt me vendin tuaj dhe të gjithë ju. Prandaj faleminderit për kohën dhe faleminderit që u ulët nga ana e flamurit shqiptar”, i tha Rama Trudeau.