Shtrenjtimi i paketave celulare, konkurrenca pezullon rritjen, hap hetimin – A2

Shtrenjtimi i paketave celulare, konkurrenca pezullon rritjen, hap hetimin

PAKETAT CELULARE frame 417 1100x620
Video

Operatorët celularë kanë 5 ditë kohë për të kthyer çmimet e vjetra të paketave, në të kundërt do të përballen me gjoba nga Autoriteti i Konkurrencës. Tre kompanitë në treg rritën brenda dy javëve me nga 200 lekë çmimet e paketave mujore, shoqëruar me dyfishimin e vlerës minimale të rimbushjes në 200 lekë.

Kjo ngjalli reagimin e fortë të konsumatorëve që u përballën me çmimet e reja, duke sjellë edhe ankesën e Qendrës Konsumatori Shqiptar pranë Autoritetit të Konkurrencës. Ky i fundit, pas shqyrtimit të ankesave të marra dhe pas një monitorimi në treg, vendosi të hapë një hetim paraprak mbi mundësinë e kufizimit të konkurrencës, përmes marrëveshjeve të ndaluara midis tre operatorëve.

Hetimi do të zgjatet deri më 31 mars, kohë kur kompanitë duhet të pezullojnë rritjen e paketave me parapagesë, pasi në të kundërt do të ndëshkohen me gjobë deri në 10% të xhiros vjetore. Kjo nuk është hera e parë që ky treg i nënshtrohet hetimeve për marrëveshje të fshehta. Në vitin 2017, operatorët ndryshuan paketat mujore, duke i kthyer në një afat 28 ditor. Pas hetimit Konkurrenca urdhëroi rikthimin e paketave 30 ditore.