Thaçi në Mynih, takon Grenell dhe sulmon BE: Kosovë është e zhgënjyer – A2

Thaçi në Mynih, takon Grenell dhe sulmon BE: Kosovë është e zhgënjyer

KR MYNIH THACI GRENELL frame 481 1100x620

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi është takuar në Mynih të Gjermanisë me të dërguarin e Posaçëm të Shteteve të Bashkuara për dialogun me Serbinë, ambasadorin Richard Grenell.

Ata diskutuan marrëveshjet e ofruara nga Amerika dhe për hapat drejt finalizimit të dialogut dhe anëtarësimin e Kosovës në OKB.

Me anë të një postimi në Facebook, Thaçi nënvizon se është jetike që të ndërmerren të gjitha hapat e nevojshme për përmbyllje të bisedimeve me Serbinë.

Pas takimi presidenti I Kosovës mbajti dhe një konferencë për media, ku kryesisht vlerësoi rolin e Shteteve të Bashkuara në dialog dhe sulmoi Bashkimin Europian për mungesën e liberalizimit të vizave.

“Unë dua të shpresojnë se BE do të jetë në mbështetje të plotë të një procesi dinamik me SHBA-në, që të jenë të plotësueshme për njëra-tjetrën. Dhe theksoj se garanci e sigurt është roli udhëheqës dhe dinamik i SHBA-së dhe natyrisht mbështetja e plotë dhe unike e BE-së,  sepse ne synojmë që të jemi pjesë e BE-së, por e them hapur dhe sinqerisht se Kosova nga Bashkimi Evropian është e zhgënjyer, është e dëshpëruar, edhe e tradhtuar, sepse nuk ka ndodhur liberalizimi i vizave, ndërsa Kosova ka kryer të gjitha obligimet dhe standardet”, deklaroi Thaçi.

Kreu i Shtetit tha më tej se Kosova do të ndërmarrë hapa që do të mundësojnë rifillimin e dialogut me Serbinë, ndërsa bëri me dije se beson plotësisht në rolin udhëheqës të Amerikës dhe angazhimin dinamik të sekretarit të shtetit, Mike Pompeo. Presidenti Hashim Thaçi ndodhet në Gjermani pasi merr pjesë në Konferencën e Mynihut për Siguri.