Kampionët në fuqi të Premier League, Manchester City, janë përjashtuar nga çdo kompeticion europian për dy sezone, atë 2020-2021 dhe 2021-2022. City i drejtuar nga Guardiola është gjobitur edhe me 30 milionë euro.
Arsyeja e përjashtimit nga organi kryesor i futbollit europian kanë qenë parregullsitë e cilësuara si "të rënda" për sa i përket fair play-it financiar, veçanërisht në pjesën e sponsorizimeve.
Në një hetim të botuar nga gjermania "Der Spiegel", tregohej si UEFA kishte zbuluar se rreth 63 milionë euro ishin deklaruar si të ardhura nga sponsor të ndryshëm, kur në të vërtetë ishin para të "injektuara" në buxhet nga vetë pronarët.
Drejtuesit e City-t u shprehën "të zhgënjyer, por jo të befasuar nga vendimi”, që e cilësojnë si paragjykues. Vendimi i UEFA-s mund të apelohet në Gjykatën e Arbitrazhit Sportiv (CAS) në Zvicër.