Shënohet viktima e parë nga kronavirusi në Europë, 1527 të vdekur në të gjithë botën – A2

Shënohet viktima e parë nga kronavirusi në Europë, 1527 të vdekur në të gjithë botën

koronavirusi europe 1100x620

Një turiste kineze ka humbur jetën në Francë pasi është infektuar me koronavirus, duke u bërë kështu viktima e parë nga ky virus jashtë Azisë.

Ministrja franceze e Shëndetësisë, Agnès Buzyn, tha se viktima është një 80-vjeçare nga provinca Hubei e Kinës, ku ndodhet edhe Wuhan, qyteti epiqendër e përhapjes së Covid-19. Ajo ka mbërritur në Francë më 16 janar dhe ishte vendosur në karantinë në një spital të Parisit më 25 janar. Më parë, vetëm 3 persona kishin humbur jetën nga koronavirusi jashtë Kinës, në Hong Kong, Filipine dhe Japoni.

Më shumë se 67 mijë persona në të gjithë botën raportohet të jenë të infektuar nga koronavirusi, pjesë dërrmuese e tyre në Kinë. Numri i viktimave është rritur në të paktën 1527.

Shifrat vazhdojnë të rriten ndërsa Kina raportoi një ditë më parë se 1700 mjekë janë gjithashtu të infektuar nga virusi, pasi janë kujdesur për pacientë të sëmurë, prej tyre 6 kanë humbur jetën.

Rritja e madhe e numrit të të infektuarve dhe viktimave ka ardhur për shkak të mënyrës së si Kina ka vendosur të klasifikojë rastet me virusin Covid-19. Shifra totale tashmë do të përfshijë edhe personat që shfaqin simptoma, por nuk janë testuar ende, ose që mendohet se gabimisht u ka dalë negativ rezultati i testit.

Një mision me ekspertë të udhëhequr nga Organizata Botërore e Shëndetësisë do të mbërrijë në Kinë këtë fundjavë, për të vendosur bashkë me ekspertët kinezë hapat e ardhshëm që duhen ndërmarrë në Kinë dhe në botë për të frenuar përhapjen e virusit. Drejtori i OBSH, Tedros Adhanom, tha të premten se ekspertët do të qëndrojnë për aq kohë sa do të jetë nevoja.