Në Indi po “çmenden”, vërtetë muratori ka thyer rekordin e Usain Bolt? – A2

Në Indi po “çmenden”, vërtetë muratori ka thyer rekordin e Usain Bolt?

India, edhe pse është një nga vendet më të populluar anë botë, me më shumë se 1 miliardë e 300 milionë banorë, nuk shquhet për performanca të mëdha në sport dhe veçanërisht në atletikë.

Por shumë prej tyre po shpresojnë që kjo gjë të ndryshojë, falë një muratori 28 vjeçar, dhe performancës së tij të jashtëzakonshme.   

I riu, që quhet Srinivasa Gowda, po merrte pjesë në një garë të kambalës,  një sport tradicional i krahinës ku banon, ku i lidhur me dy bullica duhet të vraponte në një fushë ku kultivohet orizi rreth 142 metra.  

Jo vetëm që i riu fitoi sfidën e tij, por me një kohë vërtetë të pabesueshme. Organizatorët e garës matën kohën totale, 13.62 sekonda për 142 metra. Kohë fantastike, që po ta shkurtosh në distancën e 100 metrave e çon indianin direkt në librat e historisë së atletikë.

Kjo, sepse 100 metrat e para sipas matjeve ai i bëri për 9.55 sekonda, duke thyer rekordin mitik të xhamaikanit Usain Bolt, me 9.58.

Vërtetë që matjet nuk ishin profesionale dhe forca e kafshëve ka qenë një ndihmë e madhe, por fusha plot gropa dhe mungesa e këpucëve ka bërë mijëra indianë të mendojnë se i riu duhet të shkojë direkt në Olimpiadën e Tokios.