Një trafikant fëmijësh dhe dy vrasës, emrat e radhës në listën e më të kërkuarve në Shqipëri

Një trafikant fëmijësh, vrasësi i bashkëshortes dhe prindërve të saj, si dhe vrasësi i një punonjësi policie janë tre personat e radhës, pjesë e listës së 50 më të kërkuarve në Shqipëri, fotot dhe të dhënat e të cilëve publikohen nga Policia e Shtetit.

Ata janë objekt i punës së Njësisë së Kërkimit, të ngritur për të kapur personat që janë dënuar me vendim gjykate, por i kanë shpëtuar drejtësisë dhe janë në arrati.

I dënuari me burg përjetë Flamur Ndino: Në datën 4 qershor 1995, në qytetin e Fierit, shtetasi Flamur Ndino, në bashkëpunim me shtetas të tjerë, ka rrëmbyer me qëllim trafikimi fëmijën e mitur J. L., 3 vjeç, banues në Fier. Shtetasi Flamur Ndino është dënuar me burgim të përjetshëm, nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprën penale “Rrëmbimi i fëmijës, i kryer në bashkëpunim”.

I dënuari me burg përjetë Misir Tare: Në datën 30 maj 1993, në fshatin Pashalli, Berat, shtetasi Misir Tare ka kryer vrasjen e shtetases L. T, bashkëshortja e tij dhe të prindërve të saj, shtetasit Xh. D dhe A. D.  Misir Tare është dënuar me burgim të përjetshëm, nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Berat, për veprën penale “Vrasja e trefishtë”.

Besnik Coka, i dënuar me 25 vjet burg: Në datën 25.08.1997, në vendim e quajtur “Ura e Setës”, në Dibër, shtetasi Besnik Coka, në bashkëpunim me persona te tjerë, ka vrarë shtetasin M. K. (punonjës policie). Besnik Coka është dënuar me 25 vjet burg, nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Dibër, për veprat penale “Vrasja me paramendim” dhe “Armëmbajtja pa leje”.