Kamerat “kurth” sjellin imazhet unike të botës së egër

Një faqe interneti online, e mbështetur nga Google, iu ofron të gjithëve në botë mundësinë për të hyrë dhe për të parë miliona foto nga bota e egër të realizuara nga kamerat “kurth”.

Kërkuesit shpesh herë i përdorin këto lloj kamerash për të parë nga afër jetën dhe sjelljen e kafshëve të ndryshme. Këto kamera statike kanë një sensor që aktivizohet nga nxehtësia apo lëvizjet e kafshëve dhe iu japin mundësinë kërkuesve që të mësojnë më shumë për to pa i shqetësuar.

“Kurthet” vendoseshin për periudha të gjata dhe shpesh herë sillnin shumëllojshmëri imazhesh, të cilat së bashku me informacionet e tjera, qëndronin vetëm në dosjet e shkencëtarëve.

Tashmë me krijimin e kësaj platforme online çdokush mund të hyjë të shohë pamje të mrekullueshme të kafshëve të ndryshme. Aktualisht “Wildlife Inside”, e cila u prezantua për herë të parë në muajin dhjetor, ka në bazën e të dhënave të saj 4.5 milionë foto.