Radio, pasion pa kushte

Ishte 28 nëntori i vitit 1938, pesë muaj përpara pushtimit të Shqipërisë nga Itali, kur thirrja “Ju flet Tirana”, shënoi edhe transmetimin e parë të një radioje në gjuhën shqipe.

Programet e para ishin të shkurtra dhe nuk i kalonin më shumë se tri orë. Ato realizoheshin në një zyrë të bashkisë dhe kryesisht kishin muzikë patriotike, popullore dhe krijime shqiptare që asokohe regjistroheshin në pllakat e rralla të gramafonit. Por, Radio Tirana do të bëhej shumë shpejt zëri për një popull, por edhe një stacion për të cilin do të jehonin edhe këngë në gjuhë të huaj.

9 janari i vitit 1946 shënon fillimin e programeve të Radio Tiranës, por ngjarja më e rëndësishme u shënuar në vitin 1962 kur edhe u krijua Orkestra Sinfonike e Radios. Qëllimi i saj ishte të siguronte dhe të mbulonte orë të tëra transmetimi të një muzike të mirë e kryesisht shqiptare. Sepse qëllimi i radios ishte të edukonte një shije të mirë muzikore.

Edhe festivali i parë i këngës shqiptare nisi në radio. Atëherë u vunë në lëvizje shumë kompozitorë, por u pranuan që të transmetoheshin vetëm 48 këngë. Deri në vitet ‘70, Radio Tirana kishte marrë konotacionin pozitiv të një radioje të kompletuar. Shqipëria po bëhej gati për festivalin e 11 të këngës, ndërsa Radio Tirana bëhej gati për krijimin e një programi si anketa muzikore, që do të transmetonte shumë shpejt muzikën e Mireille Matie, Demis Rusos, Beatles e shume yje të muzikës së huaj. Por kjo situatë nuk do të zgjaste shumë. Sepse i gjithë shtypi duhej t’i shërbente propagandës së Partisë së Punës.