BE, qasje e re ndaj zgjerimit në Ballkanin perëndimor – A2

BE, qasje e re ndaj zgjerimit në Ballkanin perëndimor

Udhëheqësit e gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor, u dukën të kënaqur me diskutimet e zhvilluara mbrëmjen e së dielës më zyrtarë të lartë të BE si presidentja e komisionit europian Ursula Von Der Leyen dhe kreu i këshillit europian Charles Michel.

Në darkën e punës morën pjesë edhe shefi i politikës së jashtme të BE-së Josep Borrell dhe kryeministri kroat Andrej Plenkovic, si kryesues i radhës së BE-së.

Ata  thanë se është në interesin gjeostrategjik të BE-së afrimi sa më i madh i Ballkanit Perëndimor dhe paralajmëruan një plan investimesh që do të paraqitet në takimin e Këshillit të Ministrave në muajin mars.

 “Kjo është një mundësi për rikonfirmimin e perspektivës europiane për partnerët tanë të Ballkanit Perëndimor. Ne duhet të thellojmë bashkëpunimin strategjik për çështje si ndryshimet klimatike, multilateralizmi dhe politika e jashtme” deklaroi Michel.

Takimi u mbajt mes shpresave në rritje për nisjen e negociatave, pasi presidenti francez Emmanuel Macron tha të shtunën gjatë konferencës së  Munihut se nëse rezultatet janë pozitive dhe besimi vendoset, atëherë ne do mund të jemi në gjendje që ta hapim bisedimet.

Kryeministri Rama i cilëson pozitive deklaratat e presidentit Macron, por thotë se duhet të qëndrojmë më këmbë në tokë dhe të vijojë puna për përmbushjen e një kërkese, te cilën ai e konsideron legjitime.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, tha se gjatë takimit ka theksuar dy gjëra shumë të rëndësishme. “E para që Kosovës duhet t’i ndodhë është liberalizimi i vizave sa më parë që është e mundur. Kosova ka përmbyllur të gjitha proceset dhe ka realizuar të gjitha kriteret e nevojshme për liberalizimin e vizave. Të mos vazhdohet me ketë padrejtësi në raport me Kosovën dhe të shkëputet ky raport krejt abstrakt dhe platonik i BE-së me qytetarët dhe institucionet e Kosovës. Dhe kam pyetur shumë hapur se edhe çka duhet të bëj Kosova që të ndodhë liberalizimi i vizave?”.

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vucic, e  vuri theksin tek nisma për lirinë e lëvizjes që u bë e njohur si “mini-Shengeni Ballkanik”. Sipas tij ajo premton më shumë rezultate konkrete se sa ato që kanë arritur deri më tani. Kryeministri Rama shfaqi bindjen se BE-ja dhe Komisioni Evropian do ta mbështesin këtë.