Nesho: Politika e re në Prishtinë, e zhveshur nga e kaluara, por me një kujtesë pozitive

Në kuadër të 12-vjetorit të pavarësisë së Kosovës, ish-ambasadori i Shqipërisë në OKB, Agim Nesho bën një bilanc të dinamikave që kanë shndërruar Kosovën në një shtet të mirëfilltë, si dhe të ndryshimeve të politikës kosovare me ndërrimin e gjeneratave të klasës drejtuese.

Për ish-ambasadorin Kosova ka patur një progresion pozitiv, “ku po konsolidohet si shtet, dhe ku pengesat për të kanë ardhur më shumë nga faktorët ndërkombëtarë sesa nga ato të brendshëm, ku “problemi nuk ka qenë Kosova por Serbia dhe interesi i saj për t’u futur në BE”.

Për sa i përket klasës politike në Prishtinë, Nesho shfaqet optimist për kalimin nga “gjenerata e luftës” tek ajo e përfaqësuar nga kryeministri Albin Kurti dhe Vjosa Osmani, të cilët sipas tij “ janë të zhveshur nga e kaluara, por me një kujtesë pozitive për të zhvilluar vendin”.

Edhe në dialogun me Beogradin, ish-ambasadori sheh një kryeministër si Kurti që “nuk pranon kompromiset, është një qytetar europian që mbron interesin e vendit të tij”, ndërkohë që lidershipi i vjetër ka patur kufizime, veçanërisht një “mbivlerësimin disa herë të rolit të ndërkombëtarëve”.

Dialogu Prishtinë-Tiranë sipas Neshos mund të përshpejtohet nga kjo qasje e re e Prishtinës,  por pa prekur linjat e kuqe të cenimit të territorit, edhe pse sipas tij “ marrëveshja do të kishte ardhur më shpejt në qoftë se politikat e Beogradit mos të kishin gjetur konsensus në vendet fqinje, si Shqipëria”, duke cilësuar mini-Shengenin si “strategjia e duhur e Serbisë për të dominuar rajonin”.